Anëtarë të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë

Bajram Peçi*


Në përputhje me statutin që rregullon funksionimin dhe jetën e brendshme të saj, Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë, e përfaqësuar në nivel Asambleje, u mblodh më datë 17 Nëntor 2018 në Tiranë, për të raportuar mbi veprimtarinë katër vjeçare dhe për të zhvilluar zgjedhjet e reja. Në këtë forum të rendësishëm pjesëmarrësit përfaqësonin individë të elitës së koleksionistëve filatelistë, numizmatë, faleristë, etnografë, të fotografisë, të artit të pikturës dhe objekteve të tjera, që pasioni i mbledhjes i ruan si objekte me vlerë të trashëgimisë kulturore të kombit.


Familja e koleksionistëve, në shumicën e tyre, i përket një shumëllojshmërie shtresash qytetare, ku spikatin inxhinierë, mësues, juristë, mjekë, ushtarakë, agronomë, gazetarë e të tjerë punonjës. Pasionin për të koleksionuar dhe praninë në një shoqëri të koleksonistëve, gjithnjë e më shpesh e shohin si një nga mjetet më të mira për të çmuar një popull.


Është ky grusht njerzish që ruan dhe mbron me fanatizëm artefakte e fonde që i përkasin pullës postare, monedhës e kartëmonedhës, medaljet, urdhërat e titujt e nderit, veshjet e lashta shqiptare, së bashku me zbukurimet e tyre, uniformat e armëmbajtësve, etj., shumë prej të cilave, pa drojë, mund të themi se nuk i kanë as muzetë apo institucionet përkatëse të shtetit.  Para Asamblesë, kryetari i saj, Muharrem Gimjani, raportoi mbi aktivitetin e kryer gjatë kësaj periudhe.


Ai vuri në dukje se Shoqata ka patur një rritje të ndjeshme të antarëve të rinj, çka flet më së miri për sigurinë e të ardhmes; është përhapur ndër moshat e reja, më shumë se asnjëherë tjetër, hobi i numizmatikës; vrehet se ka një rritje të përfshirjes në ndërtimin e një koleksioni (çfardo) edhe të gjinisë femërore, të cilat i bashkangjiten aradhës së më të hershmeve; është shtuar, krahas degës së Shkodrës e Korçës, Dega e Elbasanit.


Shoqata pati detyrimin, si bashkim vullnetar në organizatën jo fitimprurëse, të nxiti gjatë kësaj periudhe bashkëpunimin me instancat përkatëse në nismën për diskutimin dhe hartimin e ligjit të përmirësuar të Trashëgimisë Kulturore.


Asambleja vuri në dukje punën që ka kryer për përhapjen e kësaj kulture, për kultivimin e shijeve qytetare, që i shërbejnë edukimit, nëpërmjet ekspozitave të ngritura në disa qytete, me tematikë pullën e kartat postare dhe kartëmonedhat. Përmes tyre ka synuar të mbrojë trashëgiminë dhe të rrisë ndjeshmërinë qytetare.


Kulmoi veprimtaria me organizimin e të parës dhe të vetmes veprimtari ndërkombëtare që është kryer në Shqipëri. Duke patur ndihmën e madhe të Postës Shqiptare, bëmë të mundur realizimin e Kampionatit Ballkanik të Filatelisë, në të cilën morën pjesë disa qindra konkurues nga dhjetë shtete, e cila qendroi gjatë një jave e hapur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve e që u frekuentua nga mijra qytetarë të Tiranës.


Ngjarje që duhen shënuar janë dhe kryerja e një tërsi studimesh, falë punës këmbëngulëse kërkimore të anëtarëve të Shoqatës, të cilat kanë gjetur shprehjen e tyre në revistën periodike të shoqatës, Koleksionisti, si dhe botime të tjera të hedhura për përdorim më të gjerë.


Veçojmë në këtë kuadër tre botime super cilësore: së pari, Historia e pullës postare të Shqipërisë, me autor të ndjerin Thimi Nika; së dyti, monografia Pullat e Republikës Autonome të Korçës, me autor Jovan Basho, që u promovua në ditën e 100 Vjetorit të kësaj ngjarjeje dhe, së treti, katalogu Pulla Shqiptare, me autor Muharrem Gimjani.


Për çdo njërën prej tyre, supervlerësimet kanë qenë të ardhura si nga brenda ashtu dhe nga jashtë vendit. Historia e pullës postare të Shqipërisë, madje u vlerësua në Ballkanfila me Medalje të Artë, në klasën filatelike Literaturë.


Së fundmi, vlen të përmëndet se anëtarët filatelistë të shoqatës kanë qenë pjesëmarrës në veprimtaritë ndërkombëtare të organizuara nga Federata Europiane e Filatelisë (FEPA), në të cilat janë vlerësuar me medalje shumë prej tyre. Spikasin posaçërisht medaljet e nivelit më të epërm, Vermei, të marra nga Kozma Dashi, në konkurimet e vitit 2016 në Finlandë dhe ajo e vitit 2017 në Çeki; Muharrem Gimjani, vlerësuar me Argjend i Madh në vitin 2016 në Londër; Vasil Xhitoni, vlerësuar me Medalje të Artë në Ballkanfila-Tiranë 2016, etj.


Asambleja, pasi përzgjodhi me propozime të lira rreth 11 kandidatura, me votime të fshehta votoi për kryesinë e re të përbërë nga 9 anëtarë, ku fituan: Julian Demeti, të cilin kryesia e zgjodhi kryetar, Muharrem Gimjani zv/kryetar, Edmond Budo, sekretar, Jovan Basho, Artan Lame dhe Bajram Peçi, anëtar kryesie. Në përputhje me statutin, tre kryetarët e degëve Shkodër, Elbasan dhe Korçë, automatikisht zgjidhen si anëtarë të kryesisë. Në Shkodër është zgjedhur z.Lorenc Kaçulini, në Elbasan Blandor Abazi, ndërsa në Korçë procesi përfundon së shpejti.


Unanimisht, siç më lartë u përmend, kryesia ja besoi detyrën e kryetarit, për një periudhë katër vjeçare, Julian Demetit. I lindur në 27 korrik të vitit 1981, me arsim të lartë Administrim Biznesi/Marketing, sipërmarrës, administrator i kompanisë Albanian Busines Partner shpk, që operon në fushën e teknollogjisë së informacionit; administrator i Start-up-it (www.gati.al), anëtar bordi në shoqatën e kompanive të IT (AITA).


Ka qenë anëtar kryesie, hobi i tij është numizmatika dhe filatelia. Ka ndërtuar koleksione të përsosura, ku spikatin ato të kartëmonedhave të Shqipërisë, të cilin do ta vlerësoja ndër më të mirët, më të kompletuarit e kësaj klase. Në filateli zotëron një fond të konsiderueshëm rrallësish që i përkasin historisë postare dhe gabimeve.


Kryetarit dhe Kryesisë së shoqatës i urojmë mbarësi e suksese të mëtejshme në misionin për përhapjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore!


*Kryeredaktor i botimit të revistës zyrtare të shoqatës, periodikes Koleksionisti


19 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)