Qeveria kolumbiane dhe rebelët e majtë FARC kanë nënshkruar një marrëveshje historike, e cila i jep fund konfliktit të armatosur që ka zgjatur për 52 vite.
Udhëheqësi rebel Timoleon Jimenez, i njohur si Timochenko, kërkoi falje për të gjitha viktimat e konfliktit. Fjalimi i tij u përshëndet dhe u shoqërua me duartrokitje.
“Unë dua të kërkoj falje për të gjitha dhimbjet që kemi shkaktuar gjatë gjithë kësaj lufte”, tha ai. Të gjithë të ftuarit ishin veshur me të bardha për të simbolizuar paqen. Ceremonia u mbajt në Cartagena.
Presidenti Juan Manuel Santos tha: “Kolumbia feston, planeti feston, sepse është një luftë më pak në këtë botë. Ne do t’i arrijmë qëllimet, të kalojmë çdo pengesë, që kombi të ketë atë që gjithmonë ka dëshiruar, një vend në paqe”.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i shtetit Juan Manuel Santos dhe Gjenerali Rodrigo Londono Echeverri në emër të FARC-ut.
27 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)