Komandant Hoxha i rikthehet politikës. Xhezair Shaqiri i njohur si ish-komandant Hoxha ka vendosur të rikthehet në politikë, duke iu bashkangjitur koalicionit me BDSH-në e Bardhyl Mahmutit për zgjedhjet e ardhshme. Njeriu i cili per vite qëndroi në fshatin Tanushë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, ka vendosur të rikthehet edhe pse nuk dihet ende si ka përfunduar epilogu i ndjekjes së tij penale nga autoritetet maqedonase.


Shaqiri, i cili vazhdon të ushtrojë detyrën e kreut të Partisë Demokratike Kombëtare ka deklaruar se ai hyn në koalicion me BDSH-në në kuadër të Platformës Antidiskriminim të shqiptarëve në Maqedoni.

 


“Nesër do të publikojmë koalicionin dhe se vetëm bashkimi ndal ofensivat e Nikolla Gruevskit. Duke pas parasysh situatën aktuale të shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski me këtë gjendje të përçarjes së shqiptarëve do të vazhdojë sulmet, por bashkimi jonë ndal ato. Gruevski ato sulme deri tani nëpërmjet Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit sulmonte shqiptarët”, theksoi Xhezair Shaqiri, duke shtuar se me kreun e BDSh-së janë marrë vesh dhe kanë anashkaluar matematikat dhe përllogaritjet personale.