Nga Miron Çako*


Festat e 28-29 Nëntorit na sjellin në kujtesë retrospektive ngjarjet historike të themelimit të kombit dhe shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe çlirimin prej pushtuesve nazifashistë nga Lufta Nacionalçlirimtare në vitin 1944. Këto dy ngjarje na rizgjojnë ndjenjë kombëtare duke na bërë më të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për çështjen kombëtare. Kjo detyrë duhet të përballohet nga shtetasit me një kontribut të përditshëm vlerash morale dhe materiale, madje, kur e kërkon nevoja, edhe me sakrifica sublime, ashtu si na e kujton Himni i Flamurit: Rreth flamurit të përbashkuar. Me një dëshire një qëllim. Të gjithë atij duke ju betuar. Të lidhim besën për shpëtim. Prej lufte veç ai largohet. Që është lindur tradhëtor. Kush është burrë nuk friksohet. Po vdes, po vdes si një dëshmor!


Termin komb mund ta përkufizojmë si Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës (Fjalori shqip) ose, sipas autorëve së drejtës ndërkombëtare, komb do të thotë një grup njerëzish që ushtrojnë vetëqeverisje brenda një territori të caktuar.


Por, pavarësisht nga këto formulime, në të vërtetë, sipas shkencave shoqërore politike, nuk ekziston një koncept përfundimtar për nocionin komb, sepse popuj të ndryshëm patën rrethana të ndryshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, politik që u bënë përcaktuese në formimin e kombeve dhe shteteve.


Shumë studiues janë të mendimit se kombet moderne e kanë zanafillën me Revolucionin Francez 1789, ku u godit monarkia dhe u krijua republika. Në Evropën Perëndimore, kombet u formuan si pasojë e revolucionit ekonomiko-industrial kapitalist që goditi sistemin feudal dhe formoi klasën e re të borgjezisë, e cila ndikohej në formimin e kombeve dhe shteteve me ligje të reja. Rënia e Perandorisë Osmane, Austro-Hungareze dhe çlirimi i popujve të pushtuar prej tyre ndikoi në formimin e kombeve në Evropën Juglindore, në Ballkan, në shekullin XIX. Nga vendet e Ballkanit, shqiptarët, pavarësisht se ishin një popull i lashtë autokton e me histori, e fituan pavarësinë kombëtare dhe themelimin e shtetin më vonë se të tjerët, për shkak të kushteve të pafavorshme ku gjendej Shqipëria e asaj kohe.


Përpjekja për të formuar kombin edhe shtetin shqiptar, mund të themi se ka nisur që nga 28 Nëntori i vitit 1443 kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, ngriti flamurin shqiptar në Krujën e çliruar nga turqit, duke thënë fjalët lapidare: Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta mes jush. Në Kuvendin e Lezhës, i cili u mbajt më 2 mars të vitit 1444 në kishën e Shën Nikollës, Gjergj Kastrioti nëpërmjet bashkimit të princave shqiptarë, bëri përpjekjen e parë për bashkimin e kombit shqiptar në formimin e mbretërisë së Arbërit, troje që për shumë shekuj ishin pjesë integrale e Perandorisë Bizantine.


Për 25 vite luftërash edhe fitoresh u bë i mundur bashkimi kombëtar. Por, pas vdekjes së heroit kombëtar më 17 janar të vitit 1468, osmanët, me përçarjen e shqiptarëve, arritën të pushtonin përsëri Arbërin. Ky pushtim përfundoi nga fundi i shekullit XV. Mbas këtij pushtimi, që ishte më i egri në rajon, u deshën dhe katër shekuj të tjerë që të zgjohej ndjenja kombëtare prej shumë personaliteteve patriotë, e quajtur Rilindja Kombëtare, e cila u kurorëzua me fitore kur plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali bashkë me shumë patriotë ngritën flamurin e Skënderbeut, duke shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar, më 28 Nëntor 1912. Në Traktatin e Londrës (1912-1913), ambasadorët, pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913 morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.


Në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), kombi shqiptar bashkë me kombet aleate antifashiste dha kontributin e tij për çlirim me luftën nacionalçlirimtare, duke ofruar gjakun e 28.000 dëshmorëve, shifër e lartë për numrin e popullsisë në vend. Mbas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945 u krijua nga kombet fituese Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), që të mund të nxirrnin ligje të reja si ura bashkimi me qëllim që të forconin bashkëpunimin midis kombeve, për t’i dhënë fund armiqësisë midis tyre, ku në të dyja luftërat botërore u vranë shumë njerëz, si dhe u shkatërrua ekonomia edhe kultura e kombeve ndërluftuese. Sot OKB-ja numëron 193 shtete anëtare. Kombi dhe shteti shqiptar u pranuan në OKB në vitin 1955; në vitin 2009 Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sot kandidate për në Evropën e Bashkuar.


Formimi i kombeve dhe perspektiva e tyre eskatologjike sipas Biblës


Bibla është shkruar në një hapësirë kohore prej 1500 vjetësh, përbën 76 libra të shkruar nga mbi 40 autorë të ndryshëm, është përkthyer sot në mbi 2100 gjuhë dhe dialekte, është libri më i shitur në botë me miliarda kopje, është një libër fetar, historik, që ka ndikuar jo vetëm në fe, por edhe në artin kulturën, shkencën dhe vetë ligjet e kombeve dhe të të drejtave të njeriut në qytetërimin evropian edhe më gjerë.


Në lidhje me zanafillën e formimit të kombeve, Bibla na thotë se Perëndia e krijoi të gjithë njerëzimin, që është i ndarë në raca, gjuhë dhe kombe, prej një parimi: Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë: Ai e krijoi mashkull edhe femër. Dhe Perëndia i bekoi dhe u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni e nënshtrojeni tokën’(Zan. 1: 27-28). Kjo kishte kuptimin se njerëzimi do të shpërndahej në gjithë globin dhe kështu do të përcaktoheshin shumëllojshmëritë e racave dhe kombeve, ashtu si përsëri na thuhet: Ai ka bërë prej një gjaku të vetëm të gjitha racat e njerëzve që banojnë në mbarë faqen e dheut dhe caktoi kohëra dhe caqet e banimit të tyre (Vep. Ap. 17:26). Mbas përmbytjes globale për shkak të mëkateve të njerëzve, ku shpëtoi vetëm Noeu me familjen e tij, urdhri hyjnor shtohuni, shumohuni edhe pushtojeni botën, iu dha përsëri atij edhe tre djemve të tij, Semit, Jafetit, Kamit, me anën e të cilëve u bë vazhdimësia e gjinisë njerëzore, e ndarë në degëzime, raca edhe kombe.


Por përsëri Bibla na thotë se njerëzit nuk iu bindën urdhrit hyjnor, ata nuk u shpërndanë në sipërfaqen e dheut. Të bashkuar me një gjuhë dhe në një vend, të mbushur me egoizëm eosforik tentuan të ndërtonin në luginën e Mesopotamisë një kullë, maja e së cilës të zgjatej deri në qiell dhe t’i bënin një emër vetes që të mos shpërndaheshin mbi faqen e tërë dheut (Zan. 11:4). Kur e keqja po merrte formën e një qytetërimi global kundër vullnetit hyjnor, ndërhyn përkujdesja hyjnore për ta zvogëluar atë me anë të ngatërrimit të gjuhës së tyre në shumë gjuhë. Kështu ai popull i madh u copëtua në kombe sipas gjuhëve të ndryshme, që sot numërohen mbi 6000 të tilla: “Kështu, Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. Prandaj këtij vendi i vuri emri Babel, sepse Zoti aty ngatërroi tërë gjuhët e dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqet e dheut (Zan. 11:8). Shpërndarjen e kombeve në tokë, për të mos u bashkuar në një popull për të keqen, e ndihmoi edhe ndarja e tokës që në fillim ishte një kontinent i madh i quajtur Pangjea. Ky fakt historik na jepet përsëri në Bibël: Eberit i lindën dy djem: emri i njërit prej tyre ishte peleg, sepse në ditët e tij u nda toka (Zan. 10:25).


Kombet që u shpërndanë në gjithë globin, duke pasur të njëjtën prejardhje dhe njësim, duhet natyrisht të vëllazëroheshin midis tyre, por e kundërta ndodhi, ato ishin dhe janë në armiqësi me njëri-tjetrin. Kjo armiqësi midis njerëzve dhe kombeve e ka fillesën te kreu i njerëzimit, Adami, i cili mëkatoi me tundimin e djallit që të bëhej perëndi pa Perëndinë. Egoizmi i solli njeriut armiqësi me Zotin, me krijesën dhe me vetveten. Kjo shprehet qartë tek armiqësia e dy vëllezërve të parë: Kaini vrau nga zilia Abelin. Armiqësia e vazhdueshme dhe egoizmi që të bëheshin perëndi për të sunduar, i nxiti kombet të krijonin qytetërime me anë e dhunës dhe kundra Perëndisë. Ata krijuan perënditë e tyre dhe i adhuruan, por, duke adhuruar idhujt e tyre, ata adhuronin demonët, sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj (Psal. 96:5).


Vullneti i Perëndisë nuk ishte që kombet të kishin armiqësi midis tyre, të ndara dhe rebele përgjithmonë. Bibla na thotë se Ai zgjodhi një përfaqësues nga kombet, Abrahamin, 2000 vjet para Krishtit: Ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë” (Zan. 15:6). Abrahamit iu dha premtimi: “Unë prej teje do të bëj një komb të madh… te ti do të jenë të bekuara gjithë fiset e tokës” (Zan. 12:2-3). Ky premtim që iu dha Abrahamit, u realizua përgjatë shekujve. Abrahamit i lindi Isaku, dhe Isakut Jakovi dhe nga ai populli i Izraelit. Ky ishte i vetmi popull monoteist me ligje hyjnore, por historikisht gjithmonë në armiqësi me kombet politeiste dhe pagane.


Plani i Perëndisë ishte që nga Izraeli të vinte Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anë të të Cilit u krijuan të gjitha, pra edhe kombet, i Cili, duke u bërë Biri i Njeriut, Adam i dytë, mund t’i shpëtonte kombet nga egoizmi rebel ndaj Zotit me pasoja urrejtjen dhe ndarjen mes tyre, që nga dy popuj armiq të bënte një komb të ri për Zotin. Krishti e arriti këtë bashkim me kryqëzimin e tij për mëkatet e gjithë kombeve, si të Izraelit që mëkatonte kundër ligjit të shkruar, si dhe të kombeve kundër tij që mëkatonin kundër ligjit të ndërgjegjes. Ai me një dorë të shtrirë nga kombi jude dhe një nga kombet pagane, arriti t’i bashkonte ato dhe krijoi një komb të ri, popullin e krishterë, ashtu siç e shpjegon në Shkrimin e Shenjtë apostulli i kombeve, Pavli: Por tani, në Krishtin Jisu, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai, në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij…, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t`i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete (Efes. 2:13-16).


Krishti, pasi e mundi me kryq djallin, armikun e kombeve, i cili merr fuqi mbi ta për shkak të mëkateve tyre dhe vdekjen e njerëzve me vdekjen vullnetare dhe me ngjalljen e tij të lavdëruar, shfaqet tek apostujt (nxënësit) dhe i urdhëron: Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amin (Matth. 28:19-20).


Mallkimi i gjuhëve, që u dha si ndëshkim për kryelartësinë e njerëzimit, u zgjidh kur të gjithë apostujt e Krishtit, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë në ditën e Pendikostisë (50 ditë mbas ngjalljes së Krishtit), iu folën kombeve në gjuhën e tyre, të vërtetën në Krishtin Shpëtimtar. Kështu, gjuhët nuk janë më ndarje apo mallkim si në kullën e Babelit, por bekim dhe mjet bashkimi për kombet në një të vërtetë Hyjnore, që të çon në dashuri për Zotin dhe për të afërmin, në vëllazëri dhe paqe midis kombeve.


Në ardhjen e dytë të Krishtit në ditën e fundit të botës, të gjitha kombet do të mblidhen përpara tij dhe do të gjykohen: Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar (Joan 9:22-23). Të gjithë ata që nga kombet do të gjenden të denjë për shpëtim nga besimi dhe veprat e mira, do të bashkohen së bashku me Zotin përjetësisht dhe kështu gjithë gjinia njerëzore, gjuhët, racat, kombet përfundimisht do të gjejnë njësimin dhe shpëtimin e tyre në Krishtin, si përmbushje të planit Hyjnor, ashtu siç na e vërteton edhe Zbulesa: Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të lartë, duke thënë: `Shpëtimi është i Perëndisë tonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit, (Krishtit)’ (Zbul. 7:9-17).


Kisha Orthodhokse përballë kombeve


Kisha e Krishtit, duke qenë besnike ndaj Shkrimit të Shenjtë (Biblës), i konsideron dhe i respekton kombet si të krijuara nga Zoti me perspektivën eskatologjike të njësimit të tyre në Krishtin, në Qiellin e ri dhe Tokën e re, ku Perëndia do të jetë i gjithi në të gjitha. Kisha, si një trup i pandarë i Krishtit, e shtrirë në kohë dhe hapësirë të globit, edhe pse e emërtuar në disa vende si autoqefale (vetëqeverisëse), sipas parimit të kombeve shtet më vete, kishë më vete, përsëri nuk ndahet duke iu përshtatur nacionalizmit të kombeve, i cili në vetvete do të thotë përjashtim dhe armiqësi të popujve fqinjë. Përkundrazi, Kisha Orthodhokse e dënon si një herezi të mallkuar nacionalizmin, racizmin midis kombeve, po ashtu edhe nacionalizmin fetar, që u shfaq në formimin e kombeve të reja në shekullin XIX në Evropën Juglindore dhe Ballkan. Në Sinodin Panortodoks të Shenjtë dhe të Madh në Kostandinopojë më 10 shtator 1872 u vendos: Kisha nuk duhet të ngatërrohet me fatin e një kombi të vetëm ose të një race të vetme.


Por Kisha si majaja midis kombeve, duke respektuar lirinë e tyre, i mbrun së bashku ato në vërtetën dhe dashurinë në Krishtin. Ajo nuk i përket asnjë kombi në vetvete, por as nuk i përjashton ato, përkundrazi i fton nga jashtë, d.m.th. nga bota e mëkatit, e lakmisë së mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, të cilat shkojnë, pa bërë dallim gjinie race, gjuhe, në Mbretërinë e përjetshme të Zotit, duke i vëllazëruar ato. Apostull Pavli shkruan: “Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë. Nuk ka më burrë e grua, sepse të gjithë jeni një në Jisu Krishtin (Gal. 3:28).


Kisha, e mbushur me urtësinë dhe diturinë e Perëndisë, i pranon të gjitha gjuhët, kulturat dhe traditat e mira të çdo kombi si gjurmë të Logosit (Fjalës), i shenjtëron ato duke i përmbushur me hirin e Perëndisë që plotëson të mangëtat dhe drejton të shtrembrat, duke i bërë mjete komunikuese në çdo komb për të përçuar vullnetin Hyjnor tek ato (kombet).


Ajo nuk është për uniformimin e kombeve, por për unitetin e tyre, prandaj nuk përdor një gjuhë të vetme, por me çdo gjuhë të kombeve ajo përhap ungjillin dhe i lutet Zotit për çdo komb dhe për paqen dhe vëllazërimin e gjithë kombeve. Kisha është kundër frymës globale midis kombeve ku gjithçka gjuhë, kulturë, territor, fe, të shkrihet në një gjë globale në emër të dashurisë, por pa të vërtetën Hyjnore, e cila i kthen njerëzit në shifër dhe kombe të vogla në shërbëtorë të kombeve të mëdha, duke i hapur rrugën një perandorie botërore, një qytetërimi global të organizuar në të keqen në antikrishtin, si një imperializëm politiko-religjioze, me arrogancën rebele kundër Zotit, e cila është e ngjashme me kullën e Babelit.


Pavarësisht se misioni i Kishës është të predikojë dhe ta bëjë të prekshme Mbretërinë e Perëndisë, e cila nuk është e dukshme tani për tani, as e përcaktuar në një vend apo komb të veçantë, por në zemrat e besimtarëve të çdo kombi,duke mësuar se: Se qytetaria jonë është në qiejt,nga ku presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht (Filipianët: 3-20), përsëri ajo ka detyrë të frymëzojë çdo besimtar të saj të përgjegjshëm që jo vetëm të dojë Zotin me gjithë zemër, shpirt, mendje dhe vullnet, por edhe të dojë të afërmin si veten; kjo gjë shprehet dhe në patriotizëm, atdhedashuri, për mbrojtjen madje deri në flijim për të mirën e kombit dhe të bashkëkombasve. Në çdo Liturgji Hyjnore, (lutje zyrtare e kishës), Kisha orthodhokse lutet duke i nderuar ata që ranë për fe e për atdhe.


Kisha, përkrah flamurit të saj (Kryqit), nderon flamurin e çdo kombi si simbolin e bashkimit kombëtar dhe të çdo vlere morale dhe sakrifice sublime, ashtu siç bën dhe Kisha Orthodhokse në Shqipëri ku më çdo 28 Nëntor kryen Dhoksologjinë e Flamurit duke iu lutur Perëndisë me këto jalë: O Zot që bekon dhe shenjtëron, bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngicë, dhe drejtoje në udhën e dritës të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit ta kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet dhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirëplotë edhe njeridashës, dhe ty të drejtojmë lavdinë, Atit, Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë dhe në jetë e jetëve Amin. (Urata e bekimit të flamurit, në Kremtoren, përkthyer nga imzot Fan S. Noli)


*Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit e KOASH.