Albania Sport (AS) - Plaku (2), Memelli, Aliaj, D.Xhafaj, Hasani: këta janë emrat e fitores së Kombëtares. Trajneri Otto Baric e filloi me një fitore spektakolare aventurën e seleksionit "B" në Turqi. Përfaqësuesja shqiptare fitoi me rezultatin e thellë 6-2 me skuadrën Antaliaspor, e cila aktivizohet në kampionatin maksimal turk dhe renditet në përfundim të fazës së parë në vendin e 16 nga 18 skuadra që ka kampionati turk (17 pikë në 17 takime). Kroati Otto Baric e nisi takimin me skemën 4-4-2 duke vendosur në portë Ilion Likën (Dinamo); në mbrojtje Admir Telin (Vllaznia), Erion Xhafa (Dinamo), Nevil Dede (Tirana), Endri Vrapi (Teuta). Mesfusha u përbë nga: Ervin Bulku (Tirana), Klodian Duro (Tirana), Adrian Aliaj (Grad Solin, Kroaci). Dyshja sulmuese u formua nga Migen Memelli (Bran Bergen, Norvegji) dhe Xhevair Sukaj (Vllaznia). Pjesa e parë është mbyllur e barabartë 0-0 dhe më i dalluari ka qenë sulmuesi Memelli, që nuk arriti në shumë raste të finalizojë.
Në pjesën e dytë, tekniku ynë bëri gjashtë zëvendësime: Leutrim Neziraj (Karlsruhe II, Gjermani) zëvendësoi Vrapi; Anton Dedaj (NK Osijek, Kroaci) hyri në vend të Telit. Talenti Jahmir Hyka (Olimpiakos, Greqi) zuri vendin e Duros dhe Sabino Plaku (Apolonia) në atë të Xhevair Sukaj. Sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj gjatë zhvillimit të pjesës së dytë zëvendësoi Migen Memellin. Vlonjati, golashënuesi më i mirë i Teutës në kampionat e coi në pesë numrin e golave për Kombëtaren tonë.
Pa kaluar 2 minuta nga pjesa e dytë, ishte Sabino Plaku (47'), golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit shqiptar (me 9 gola) që hapi serinë e golave kuqezi. Migen Memelli, autori i 12 golave me Bran në Norvegji, dyfishoi rezultatin në të 49'. Adrian Aliaj, golashënuesi më i mirë shqiptar në ndeshjet miqësore në fraksionin e 60 sekondave e coi rezultatin në 3-0 (50'). Plaku, që kurrsesi nuk mund ta humbiste rastin e shkëlqyer të ftesës në Kombëtare katërfishoi rezultatin në minutën e 53. Shpëtim Hasani (FC Kalmar, Suedi) zëvendësoi Devi Mukaj, dhe kurrsesi nuk mund të mbetej pa shënuar në rastin e shkëlqyer të minutës 79. Bardhekuqtë e Antalias shënuan dy gola.
Ditën e enjte skuadra e drejtuar nga Otto Baric do të përballet me kryesuesen e kampionatit shqiptar, Tirana.