Gianni De Biasi është prezantuar të hënën si trajneri i ri i kombëtares shqiptare.



Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka theksuar se me teknikun italian është “arritur akord 2-vjeçar, me opsion rinovimi”.

“De Biasi do qëndrojë në Tiranë për të vëzhguar lojtarët e Superiores gjatë qëndrimit në Shqipëri”, shtoi gjithashtu  Duka.

Këto ishin fjalët e para të trajnerit të ri të përfaqësueses shqiptare para mediave shqiptare: “Kërkoj ndjesë që nuk mund të flas dot gjuhën tuaj. Falenderoj FSHF-në për ftesën. Ndihem krenar që do të drejtoj kombëtaren shqiptare, është përgjegjësi e madhe. Jam krenar që jam zgjedhur trajner i një vendi, që rritet si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sportive.”

Përsa i përket rezultateve që priten prej tij nën drejtimin e Shqipërisë, De Biasi u shpreh: “Nuk mund të japim objektiva, rezultatet vijnë me kohë dhe jo me fantazi. Përgjegjësia ime është të përmbush kriteret. Te kombëtarja shqiptare do të sjell eksperiencën që kam arritur me klubet ku kam drejtuar. Do të analizojmë pozicionin e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s dhe do ta përmirësojmë. Jam realist, që kombëtarja të rritet duhet t’i hedhim hapat njëri pas tjetrit.”

Në lidhje me grupin eliminator të Shqipërisë për botërorin "Brazil 2014", ku përfaqësuesja kuqezi do të ketë përballë Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën dhe Qipron, De Biasi sheh Zvicrën si referencën që duhet të ketë kombëtarja: “Grupi eliminator është i vështirë. Zvicra do të jetë ekipi për t'u mundur në mënyrë që të arrijmë një vend të tretë.”