Atmosfera në aeroport dhe në bulevard. Spektakli i “DigitAlb” ndez kryeqytetin e shqiptarëve


Mariglen Mullai



festa per kombetaren e futbollit (1)
festa per kombetaren e futbollit (2)
festa per kombetaren e futbollit (3)
festa per kombetaren e futbollit (4)
festa per kombetaren e futbollit (5)
festa per kombetaren e futbollit (6)

Kësaj radhe u dyndën të gjithë për të qenë të pranishëm në çastet kur kombëtarja shqiptare shkroi historinë e futbollit të saj. Rinasi u mbipopullua që herët në mëngjes, pasi shqiptarët erdhën nga çdo cep, për të pritur djemtë, teksa zbrisnin nga avioni që i solli fitimtarë prej Armenisë. Disa prej qindra sportdashësve, veçse pritën pak momente dhe u larguan, ndërsa të tjerët ndoqën autobusin drejt qendrës së Tiranës, ku pritja ishte madhështi më vete. Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla pritën personalisht kapitenin Cana dhe pjesën tjetër të stafit, ndërsa makinat krijuan radhë të gjata në rrugë. Që në hyrje të kryeqytetit, trotuaret ishin shndërruar në podiume të vogla, ku qytetarët brohorisnin, porse mijëra të tjerë prisnin në vendet e caktuara më herët: Kryeministria dhe sheshi “Nënë Tereza”, ku “DigitAlb” kishte planifikuar koncertin me rastin e kualifikimit të kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian. Që pas orës 14.40, kur autobusi u nis nga Rinasi e deri mbrëmjen e vonë, gjithçka që lëvizte në Tiranë dukej e veshur Kuqezi. Madje, diku rreth orës 15.00, kur të paktën 10 mijë shqiptarë prisnin kombëtaren, afër Piramidës u afrua me shpejtësi një autoambulancë që valëviste në xhamin anësor një flamur të vogël. Më pas, në drejtim të kundërt me rrymën ecte ambasadori gjerman Helmut Hofman, i cili kësaj radhe i shikonte bashkëkombësit e 40 mijë azilkërkuesve më krenarë se kurrë. Disa politikanë u shfaqën gjithashtu mes turmës, të gatshëm për të përjetuar aty emocionin e pritjes së kombëtares. Festimet e djeshme nuk kishin nevojë për ndonjë plan konkret masash nga Policia e Tiranës, pasi gjithçka rridhte natyrshëm dhe ata pak shoferë që krijuan një fluks të vogël trafiku në anët e “Unazës” që presin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dukej sikur nuk shqetësoheshin tepër. As 100 policë nuk ishin dje në sheshe dhe bulevarde, përfshi rrugorët, ata të komisariateve dhe “Shqiponjat”, përveç civilëve të shërbimeve të ndryshme. Kryepolici Haki Çako dhe zëvendësi Ardian Çipa ishin në krye të organizimit të sigurisë së këtij aktiviteti, në bashkëpunim me strukturat e Gardës së Republikës. Çasti i shumëpritur mbërriti rreth orës 15.30, kur sapo kaloi hotel “Dajtin”, autobusi i kombëtares, u rrethua nga të dyja anët prej mijëra njerëzve. Shumica e pjesëmarrësve në këtë tubim që do ta kishte zili çdo formacion politik, ishin të rinj, nxënës shkollash të Tiranës apo të ardhur nga zona të tjera. Pjesa tjetër përbëhej nga grupe të moshës së mesme, familjarë apo kalimtarë të rastësishëm, por që të gjithë me këngë në gojë, me brohoritje dhe me sytë nga tribuna para Kryeministrisë, ku lojtarët zbritën dhe iu drejtuan ambienteve të brendshme. Pritja për daljen ishte e gjatë, aq sa bëri ziliqarë mijëra shqiptarë. Një orë thirrje “Forca Shqipëria”, “Shqipëri, Shqipëri”, apo edhe “Ballist Morina”, si dhe kërkesa për lirimin e tij, duke shtuar edhe dozat thumbuese ndaj Serbisë, përbënë tablonë jetësore të pritjes jashtë ndërtesës më të rëndësishme të shqiptarëve. Flamuj rreth qafës apo trupit, shaje kuqezi dhe qeleshet e bardha ishin pjesët përbërëse të dekorit që zbukuroi Tiranën dje. Pas fotos së rastit që Kryeministri Rama bëri në dalje me lojtarët e kombëtares, autobusi u nis drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku “DigitAlb”, platforma që mbështet fuqishëm përfaqësuesen tonë, ofronte përflakje totale të atmosferës. Emrat e secilit prej lojtarëve u thirrën nga prezantuesit e spektaklit dhe më tej futbollistët iu bashkuan gëzimit pafund të mijëra pjesëmarrësve. Festa e djeshme, e denjë për një kombëtare që u dhuroi shqiptarëve pjesëmarrjen në Europian, do të mbahet mend gjatë në mendjet e të gjithë shqiptarëve. Ata që ishin në rrugë tashmë i kanë fiksuar ato çaste magjike me foto dhe video në celularët e tyre.


Ky shkrim Kombëtarja pritet me madhështi, Tirana feston Europianin 2016 u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.