- Pjesa "shqiptare" e delegacionit të Kombëtares shqiptare të futbollit është nisur sot nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit (ora 12:20) drej Anglisë në prag të miqësores së bujshme me Anglinë (B) të Stiv Meklaren.
Miqësorja e Shqipërisë me Anglinë nuk është vetëm një miqësore luksi përsa i përket piacës ndërkombëtare të kundërshtarit, por edhe një mundësi e mirë për trajnerin Oto Baric për të testuar një pjesë të lojtarëve titullarë që mund t'i përdorë për sfidat e dyfishta me Luksemburgun (më 2 qershor në Tiranë dhe 6 qershor në Luksemburg). Në listën e hartuar nga Baric janë bërë disa ndryshime ditët e fundit, ku në vijën sulmuese është thirrur edhe sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, për t'u bashkuar me Vioresin Sinanin, Edmond Kapllanin, Besart Berishën dhe Alban Bushin. Në repartin e mesfushës rikthehet pas një mungese gati njëvjecare Blendi Shkëmbi, në forcë po me klubin durrsak. Mbrojtësi i Borusias së Mënshngladbahut II, Blerim Rrustemi, i thirrur edhe për ndeshjet zyrtare me Slloveninë dhe Bullgarinë, do të bëjë debutimin e tij me fanellën kuqezi. Delegacioni shqiptar do të akomodohet në hotelin "Dunkenhalgh". Shpenzimet e akomodimit për ekipin shqiptar i mbulon Federata Angleze. Skuadra e Baricit do të kryejë stërvitjen e parë sot në orën 19:00. Ditën e mërkurë do të zhvillojë dy të tilla (10:30 dhe 16:30), ndërsa ditën e enjte është programuar një seancë stërvitore, njohëse në stadiumin "Torf Moor", ku do të zhvillohet edhe ndeshja. Të premten, datë 25 maj, luhet edhe takimi miqësor me Anglinë (B) të Stiv Meklaren. Ekipi kombëtar kthehet në datë 26 maj në Shqipëri. Pas një dite pushim, Kombëtarja, më datë 28 nis përgatitjet për ndeshjet me Luksemburgun.

SHQIPËRIA: Arjan Beqaj (Anothorsis Famagusta), Isli Hidi( FK Tirana), Andi Lila (FC Iraklis), Nevil Dede (FK Tirana), Blerim Rustemaj (Borusia M'gldbach II), Kristi Vangjeli (FC Iraklis),
Devis Mukaj (FK Tirana), Ervin Bulku (FK Tirana), Altin Lala ?, (Hanover 96), Ervin Skela (Energie Cotbus), Endri Vrapi (KF Teuta), Altin Haxhi (Ergotelis FC), Edvin Murati ? (FC Panseriakos), Jahmir Hyka (Olimpiakos), Klodian Duro (FK Tirana), Blendi Shkëmbi (KF Teuta), Julian Ahmataj (KF Dinamo), Vioresin Sinani (FK Tirana), Alban Bushi (Apolon Kalamaria), Edmond Kapllani (Karslruhe), Besart Berisha (FC Hamburg), Daniel Xhafaj (FK Teuta).
ANGLIA B: Fil Neville (Everton), Alan Smith (Mancester Junaitid), Stjuart Dauing (Midëllsbrou), Kieron Dajër (Njukasëll Junaitid),
Majkëll Ouen (Njukasëll Junaitid), Skot Parkër (Njukasëll Junaitid), Dejvid Nuxhënt (Preston North), Nikolas Shorej (Riding), Fil Xhagielka (Shefild Junatid), Majkëll Dauson (Totenhem Hotspur), Xhermën Defoe (Totenhem Hotspur), Xhermën Xhejnës (Totenhem Hotspur), Lëdlli King (Totenhem Hotspur), Aron Lenën (Totenham Hotspur), Paul Robinson (Totenhem Hotspur), Ben Foster (Uatford).


Gjeorgjianë për Shqipëri-Luksemburg

Një "skuadër" gjyqtarësh gjeorgjianë do të drejtojë takimin Shqipëri-Luksemburg, takim i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, i programuar për datën 2 qershor 2007.
Kryesor është Lasha Silagava, ndërsa ndihmës janë Zurab Jvardize dhe Levan Mikeladze. Levan Paniashvili është gjyqtari i katërt.