Komision Europian ka përsëritur dhe njëherë kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar liberalizimin e vizave me BE-në. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Euriopian, Pierr Mirel, ka deklaruar dje, pas takimit me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, se Shqipëria duhet të realizojë me konsensus politik reformën zgjedhore dhe atë në Drejtësi. Përfaqësuesi i KE-së, gjithashtu, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e zgjedhje së çështjes së pronësisë dhe në thellimin e luftës kundër korrupsionit. Mirel garantoi se Komisioni Europian do të miratojë një fond prej 200 milionë eurosh për tre vitet e ardhshme për Shqipërinë.

Kushtet

“Shqipëria, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, duhet të vazhdojë reformat e qëndrueshme dhe të bindshme në zbatimin e MSA-së dhe në reformat kyçe politike. Dua t’i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për reformën zgjedhore, reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, në lidhje me klimën e biznesit, dua të theksoj nevojën për zgjidhjen e çështjes së të drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve. Mbi të gjitha mesazhi im kryesor ishte konsensusi politik për reformat politike prioritare”, - është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Europian, Mirel. Në këtë kontekst, ai vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërpartiake në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ai gjithashtu theksoi se KE-ja mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian. “Ne gjithashtu diskutuam çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën unë jam dakord se është një çështje shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Për këtë, ne duam ndihmën e qeverisë shqiptare, që të punojë shumë për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që do të na ndihmonte t’u rekomandojmë vendeve anëtare të Bashkimit Europian, liberalizimin e vizave me Shqipërinë”, - ka sugjeruar drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian. Ai garantoi se KE-ja do të miratojë një fond prej 200 milionë eurosh, që do të jepen gjatë 3 viteve të ardhshme në formën e granteve nga vendet e Bashkimit Europian. Në përfundim të fjalës së tij Mirel vlerësoi rolin e moderuar të Shqipërisë në rajon, në veçanti rolin konstruktiv për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Angazhimi

Kryeministri Berisha, nga ana e tij, ka shprehur angazhimin e qeverisë që ai drejton për të zbatuar kushtet e përcaktuara nga KE-ja. Berisha u shpreh se “qeveria është e vendosur të vazhdojë me konsekuencë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të vazhdojë me vendosmëri reformën për zgjidhjen e problemeve të pronësisë, të vazhdojë frymën konsensuale me opozitën, në reformat e mëdha e të rëndësishme që duhet të ndërmarrë vendi, reformën zgjedhore, reformën e sistemit të drejtësisë dhe reforma të tjera”. Berisha gjithashtu u shpreh se qeveria është e vendosur që këto reforma t’i kalojë me konsensusin e opozitës. “Me opozitën ka një dialog konstant. Ne jemi të vendosur të punojmë bashkërisht për Kodin Zgjedhor. Ekspertët tanë kanë kontakte të vazhdueshme dhe unë jam i bindur se ata do të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë bazën më të mirë ligjore procesit zgjedhor, ashtu sikurse e gjetën për ndryshimet kushtetuese dhe për të lënë mbrapa Dushkun. Fushë tjetër e rëndësishme është Prokuroria dhe Drejtësia. Në gjykimin tim nuk mund të ketë qëndrime të ndryshme përsa u përket këtyre institucioneve, pavarësisë së tyre dhe përgjegjësisë së tyre ligjore”, - është shprehur Berisha.





Kushtet



Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian deklaroi se Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet e qëndrueshme për reformën zgjedhore.



Një tjetër kusht që përfaqësuesi i KE-së vuri për qeverinë shqiptare dhe për politikën shqiptare në përgjithësi është dhe miratimi me konsensus i reformës në Drejtësi.



Përfaqësuesi i Komisionit Europian kërkoi ndër të tjera dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një sëmundje që ka prekur të gjitha vendet e rajonit.



Duke u ndalur në klimën e biznesit, Pierr Mirel ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së të drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve.





10 Shtator 2008