Lidhur me disa shkrime në media të ditëve të fundit që kishin të bënin me rastin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti, ka reaguar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, përmes një komunikate për media, ku thuhet se profesor Ukshin Hoti, konsiderohet ende i zhdukur.

Kjo ka ardhur pas komenteve të Erleta Hotit, vajzës së veprimtarit, e cila në njërin prej televizioneve kishte thënë se, sipas disa informacioneve që ajo kishte, babai i saj është i vdekur dhe është varrosur në Pejë.

"Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton opinionin që 'rasti i Prof. Ukshin Hotit', më kërkesë të familjarëve dhe asociacioneve familjare të të zhdukurve të Kosovës, është shtruar disa herë në nivelet dialoguese me palën serbe, si kërkesë zyrtare për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së tij, duke ofruar edhe një sërë dëshmish dhe argumentesh, se Beogradi zyrtar ka informacionin për 'rastin e Prof. Ukshin Hotit' dhe mijëra qytetarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë", thuhet në komunikatë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur siguron familjarët që çdo informacion i pranuar, që do të mund të ndihmonte procesin e ndriçimit të fatit të të gjithë personave të evidencuar si të zhdukur të luftës në Kosovë, do ta procedojë konform procedurave ligjore, në bashkëpunim me të gjithë akterët vendor e ndërkombëtar të angazhuar në këtë proces, me përkushtimin profesional dhe institucional.

"Po ashtu, sigurohen të gjithë qytetarët që çdo informacion i ofruar do të trajtohet në respektim edhe të konfidenacialitetit, sipas ligjeve në fuqi, dhe procedohet gjithnjë në përpjekje për të respektuar të drejtat e familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur, gjatë luftës", thuhet në njoftim.

Po ashtu, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bën të ditur se ekziston edhe linja telefonike pa pagesë ku bëhet thirrje që të gjithë ata që kanë ndonjë informacion të ndihmojnë në këtë proces.

"Në kuadër të Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, funksionon linja telefonike, përkatësisht numri 0800 08401, i liruar nga tarifa, pra për thirrje falas dhe konfidenciale, si donacion i Postë-Telekomit të Kosovës, pas aprovimit nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, pikërisht si një mundësi për të ofruar informacionin që të ndihmohet në këtë proces të rëndësishëm dhe njëherit si një mundësi që familjarët të njoftohen për fatin dhe vendndodhjen e familjareve të tyre të zhdukur, e drejtë kjo e garantuar edhe me Ligjin për persona të zhdukur", thuhet në njoftimin për media.