BEOGRAD- Komisioni Zgjedhor i Republikës së Serbisë, brenda dy ditësh do të kontaktojë UNMIK-un në lidhje me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 6 majit në Kosovë.

“Komisioni, deri më tani, nuk ka pasur asnjë kontakt me UNMIK-un. Do të presim edhe një ditë ose dy ditë për ta kontaktuar në lidhje me zgjedhjet parlamentare”, ka thënë kryetari i Komisionit Zgjedhor Velko Odallovic për mediat serbe.

Odallovic bën me dije se mandatin për të biseduar rreth zgjedhjeve lokale, e disponon Qeveria e Serbisë.

Autoritetet ligjvënëse të Serbisë, ditë më parë, kanë shpallur zgjedhjet lokale në të gjitha komunat dhe qytetet, ku pushtetit lokal i ka kaluar mandati, përfshirë dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar kundërshtojnë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Ndonëse ato janë zhvilluar disa herë në periudhën e pas-luftës, rezultatet e zgjedhjeve serbe nuk janë pranuar si të ligjshme as nga autoritetet kosovare, as ato ndërkombëtare.
(el.me/BalkanWeb)