Kodi Zgjedhor dhe paanshmëria e komisioneve zgjedhore do të luajnë një rol përcaktues lidhur me natyrën e asaj reforme elektorale që u synua me amendimin e Kushtetutës më 21 prill nga PS dhe PD. Do të jetë ajo e suksesshme dhe brenda standardeve evropiane? Komisioni i Venecias (Demokracia nëpërmjet Ligjit) ka theksuar, në një opinion të tij për këto amendamente, se shumë gjëra do të varen nga Kodi Zgjedhor dhe mënyra si do të ndërtohen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet e tjera zgjedhore. "Veçanërisht do të jetë e një rëndësie kyç që me ligjin elektoral të sigurohet që zgjedhjet do të vazhdojnë të organizohen nga një trupë e pavarur dhe e paanshme".



Duke pasur parasysh se me "ligj elektoral" kuptohet Kodi Zgjedhor dhe me "trupë të pavarur e të paanshme" kuptohen KQZ dhe komisionet e tjera zgjedhore, mund të thuhet që vetëm me këtë frazë shpresash dhe dyshimesh njëherazi, ekspertët e Komisionit të Venecias kanë depërtuar në zemër të debatit të nxehtë politik në Tiranë. Ndërkaq, skicimi në projekt-kod nga PD dhe PS, i një KQZ-je jo vetëm partizane, por edhe aspak gjithëpërfshirëse, zbeh shpresat dhe shton dyshimet për një reformë zgjedhore të suksesshme në përputhje me standardet evropiane.



Si në të gjithë pragzgjedhjet në këto 18 vjet, shohim se përsëri jemi jo vetëm shumë të vonuar, por edhe kemi hyrë në një shteg të gabuar. Klasa politike ka humbur përsëri (dhe padyshim qëllimisht) shansin për komisione zgjedhore të pavarura dhe jo partiake. A do të shfrytëzohet kthimi i Kodit nga Presidenti i Republikës për të korrigjuar më në fund këtë faj të përsëritur të politikës së vjetër, që vazhdon të këmbëngulë, edhe pse në konsensus me "politikën e re"?





***



Ndërsa PD dhe PS në Tiranë përpiqen të kenë pozicione dominuese ekskluzive në KQZ dhe në komisionet e tjera zgjedhore në kurriz të partive të tjera si LSI, PS‘91, apo PDK, nga Venecia vjen opinioni se vetëm një KQZ dhe komisione zgjedhore të paanshme janë në përputhje me standardet evropiane dhe se vetëm të tilla komisione do të bënin të mundur që e gjithë reforma zgjedhore të ishte e mirëpritur. Por, ndërkaq nuk është më një sekret se reforma e realizuar nga PD edhe me konsensusin e "politikës së re" të Edi Ramës, në fakt ka prodhuar një gjë shumë të vjetër. Ka prodhuar përsëri komisione zgjedhore partiake. Por jo vetëm kaq. Ka prodhuar komisione zgjedhore jo vetëm partiake, por edhe aspak gjithëpërfshirëse. Pra një hap prapa edhe me produktin tradicional të politikës së vjetër. Sepse ato janë komisione të dominuara padrejtësisht nga dy partitë më të mëdha, diskriminim që pritet të thellohet edhe nga fiksimi në projektkod i një mekanizmi dinak të zgjedhjes së komisionerëve të tjerë, duke privilegjuar partitë satelite të PD dhe PS.



Në këtë kuptim, produkti i arritur nga shumica parlamentare e Berishës në konsensus me politikën "e re" të Ramës, është edhe më i vjetër se produkti i politikës së vjetër që shqiptarët kanë provuar në këto 18 vjet tranzicion. Dhe kërkesa e Ilir Metës për të pasur përfaqësuesit e vet në komisione, është të paktën një orvatje për të krijuar një balancë partiake brenda këtyre komisioneve partiake. Balancë që jep mundësi për paanësi nëpërmjet mekanizmit që ambicia partiake të vigjilojë mbi ambicien partiake. Një kërkesë që vazhdon të refuzohet me arrogancë nga përfaqësuesit e "politikës së re", të cilëve u shihet qartë se instinkti i krisur i një pushteti që po u afrohet, u ka veshur arsyen duke i bërë që të braktisin sensin e së drejtës dhe të barazisë së konkurrimit. Në fakt, pranimi i kërkesave të LSI për Kodin Zgjedhor, do të qe korrigjimi më minimal i mundshëm dhe i nevojshëm. Nuk do të shmangej partizanizmi i komisioneve, por të paktën do të kish më shumë balancë dhe barazi mes partive konkurruese.



Por, për të ardhur te standardet vërtet evropiane që sugjeron Komisioni i Venecias, do të duhej që KQZ dhe komisionet e tjera zgjedhore të mbusheshin jo më me përfaqësues e militantë partish, por me qytetarë (juristë, mësues etj.), që qëndrojnë "tej së majtës dhe së djathtës". Gjë që jo e jo PD dhe Berisha, por as "politika e re" e Ramës që e përflet këtë slogan, nuk ka këmbëngulur të bëhet, sepse nuk do që të bëhet. Prandaj duket se edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, zgjedhësit shqiptarë do të hedhin vallen e politikës së vjetër nën daullen ende të paçarë të "politikës së re". Dhe të vjen të qeshësh kur shikon sesi Leskaj apo Xhafa nxisin që Kodi Zgjedhor të kalohet sa më shpejt dhe pa asnjë korrigjim, nën maskën e gjoja merakut për se s‘po ngelet më kohë për zgjedhje të "lira dhe të ndershme". Të vjen të qeshësh, sepse pikërisht ky Kod, ashtu siç është projektuar, është një premisë për zgjedhje jo të lira e jo të ndershme. Sepse me këtë Kod Zgjedhor nuk bëhet e mundur që zgjedhjet të organizohen nga "një trupë indipendente dhe e paanshme", sikundër sugjerohet nga Venecia. OHDEAR-OSBE, ku je?