Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi dhe miratoi sot projektligjin Për disa ndryshime në ligjin nr. 8246, datë 1.10.1997 Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve.
Ky projektligj, synon ndryshimin e varësisë së Institutit të Integrimit të të Përndjekurve nga Këshilli i Ministrave te ministri i Drejtësisë, në kuadër të liberalizimit të të funksioneve të institucioneve të varësisë së Kryeministrit, apo edhe të Këshillit të Ministrave, në mënyrë që mbarëvajtja e punës të jetë më afër fushës së veprimtarisë së institucioneve përkatëse
Funksionimi i Institutit pranë ministrit të Drejtësisë do të ndikonte në një bashkërendim më të mirë të punës të tij, në kuadër të integrimit të ish të përndjekurve politikë në shoqëri, pasi në varësi të ministrit të Drejtësisë funksionon dhe sektori i trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.
Amendimet e projektligjit parashikojnë që struktura dhe rregullorja e Institutit të Integrimit të të Përndjekurve të miratohen nga ministri i Drejtësisë, i cili emëron dhe shkarkon edhe drejtorin e këtij instituti, ndërsa buxheti duke filluar nga viti 2011, do të parashikohet si zë i veçantë brenda ministrisë së Drejtësisë.