03/08/2010 Tokat bujqësore të pashfrytëzuara, skema për dhënien me qira të tyre


Të gjitha tokat bujqësore të pashfrytëzuara do të kalojnë në shfrytëzim nëpërmjet një komisioni vlerësimi, i cili do të ngrihet në çdo komunë të vendit. Lajmin e ka konfirmuar dje drejtori i tokave të pashfrytëzuara në Ministrinë e Bujqësisë Irfan Tarelli i ka bërë të ditur detajet që do të ndiqen në vijimësi për procesin në fjalë. Sipas tij, ligji për shfrytëzimin dhe përdorimin e tokave të pakultivuara ka përcaktuar që pranë njësive të qeverisjes vendore të ngrihet një komision teknik, i cili evidenton sipërfaqen e tokave të pakultivuara për jo më pak se 2 vjet. Nëpërmjet një procedure transparente këto kushte do t’u bëhen të njohura të gjithë komunitetit dhe, nëse pronari gjatë kësaj periudhe gjykon të rifillojë kultivimin e tokës, ai do ta ketë plotësisht këtë të drejtë. “Çmimi i qirasë natyrisht që do të përcaktohet nga tregu. Ai që do të ketë dhe ofertën më të lartë të përdorimit të tokës do të konsiderohet edhe fituesi”, - shprehet Tarelli. Qiradhënia e tokave bujqësore që nuk kultivohen pritet të japë një ndikim të madh në rritjen e produktivitetit të madh në treg. “Krijimi i këtij mekanizimi mund të përbëjë një qarkullim të madh ekonomik të atyre tokave bujqësore që kanë një tregues shumë të mirë agroprodhues. Përgjithësisht këto toka janë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit dhe më tipike ato gjenden në vendet ku ka një emigracion të theksuar”, - shprehet Tarelli. Gjithashtu ai vë në dukje se në fillim të muajit shtator pritet të ngrihet komisioni që do të vlerësojë dhe evidentojë të gjitha tokat e pakultivuara, të cilat njoftimin për dhënien me qira të tyre e shpallin brenda datës 6 shkurt të vitit të ardhshëm, si dhe mësohet të ketë një kohë zgjatjeje deri në 15 ditë. Të gjithë personat e interesuar duhet të paraqesin kërkesën me shkrim brenda datës 28 shkurt të 2011. Tarelli bën të ditur po ashtu se për çdo parcelë apo tokë në pronësi oferta paraqitet e veçantë. Në çdo rastet kur në komuna apo në bashki paraqiten oferta pas afatit të sipërshënuar, mund të zhvillohet një ankand tjetër në periudhën 20 prill deri në 10 maj të vitit 2011. Kjo procedurë e re parashikohet t’i japë një shtysë zhvillimit të sektorit bujqësore, duke pasur parasysh se deri tani, pavarësisht subvencioneve, ende nuk po arrin në nivelet e kërkuara.