Svoboda


Shqipëria, gati për të hapur negociatat


Kryetari i grupit të deputetëve socialistë dhe demokratë në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda (Hannes Swoboda), deklaroi se Këshilli i Bashkimit Europian, jo vetëm që duhet ti japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por duhet të japë edhe një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë. Shqipëria ka bërë një hap tepër të rëndësishëm përpara. Uroj që këshilli ta njohë këtë progres në qershor dhe të japë një datë në lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë, theksoi ai.



Strasburg 


Fatjona Mejdini


kukan ballaDeputetët e Parlamentit shqiptar dhe ata të Parlamentit Europian nisën dje në Strasburg takimin e shtatë ndërparlamentar të Komitetit të Stabilizim-Asocimit. Takimi i gjashtë u zhvillua në muajin tetor në Tiranë, disa muaj pas marrjes së pushtetit nga socialistët. Sot pritet që pas ditës së dytë të diskutimeve, palët të miratojnë një rezolutë të përbashkët, e cila do të evidentojë se për cilat pika politika shqiptare duhet të gjejë konsensus, në mënyrë që procesi i integrimit të ecë akoma më tej. Në këtë takim, pala shqiptare prezantohet nga dy bashkëkryetarë, që janë Taulant Balla i Partisë Socialiste dhe po kështu, ai i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Por që në ditën e parë të këtij komiteti, janë vënë re dhe përplasjet e para mes përfaqësuesve të delegacionit shqiptar. Kështu, bashkëkryetari i komisionit, socialisti Taulant Balla, ka këmbëngulur që në rendin e ditës së axhendës së diskutimeve të palëve të ishte edhe reforma administrative territoriale, e cila po kryhet aktualisht në Shqipëri. Burimet bëjnë të ditur se Balla ka theksuar se është e rëndësishme që ky komitet të japë një rekomandim në lidhje me përfshirjen e kësaj çështjeje në deklaratën përfundimtare. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës shqiptare në këtë komitet, të cilët kanë argumentuar se pavarësisht rëndësisë që ka kjo reformë, ndarja e re territoriale nuk ka lidhje në mënyrë të drejtpërdrejtë me kërkesat e vendosura nga përfaqësuesit e institucioneve europiane në lidhje me procesi e integrimit. Sipas tyre, çështje të cilat kanë rëndësi dhe duhet të përfshihen në rendin e ditës janë ato që lidhen me luftën që qeveria shqiptare duhet të bëjë në lidhje me krimin e organizuar, fenomenin e korrupsionit dhe nevojën që ka Shqipëria për të pasur një administratë publike në përputhje me standardet më të mira europiane. Si përfundim i këtyre diskutimeve është marrë vendimi që çështja e reformës administrative territoriale të mos futej në rendin e ditës të këtij komiteti. Kryetari i palës së PE-së në këtë komitet, Eduard Kukan, theksoi se përveç çështjeve të krimit, korrupsionit dhe administratës, në tryezë do të diskutoheshin dhe çështje të tjera të rëndësishme, siç është dhe ajo e pavarësisë së institucioneve dhe pavarësisë së mediave. Media është një çështje shumë e rëndësishme në çdo shoqëri. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj pavarësisë së medias. Ne përpiqemi që të inkurajojmë kolegët tanë, që të mos bëjnë hapa të cilët mund të dëmtojë vendin në këtë drejtim. Pavarësia e medias është një parim i rëndësishëm. Institucionet duhet të veprojnë në atë mënyrë që të ruajnë pavarësinë e medias, deklaroi Kukan në lidhje me këtë çështje. Sot pritet që dy grupet të hartojnë një deklaratë me angazhime të përbashkëta që duhet të ndërmarrin deri në takimin e ardhshëm të Komitetit të Stabilizim-Asocimit. Në muajin qershor pritet të jepet vlerësimi për Shqipërinë, mbi plotësimin e pesë kritereve të vendosura nga Komisioni Europian për procesin e integrimit. Shteti shqiptar shpreson që brenda Presidencës greke të merret vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat, pas disa herë radhazi refuzimi të bërë nga Brukseli. Rotacioni i pushtetit, i ndodhur në qershor të vitit të kaluar, u vlerësua së tepërmi nga ana e ndërkombëtarëve, por që reformat në drejtësi dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet një nga sfidat e qeverisë Rama.


 


Ky shkrim Komiteti Shqipëri-PE, refuzohet futja e ndarjes territoriale në axhendë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.