Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë do të jetë politikisht konsensual. Të paktën këtë ka tentuar të bëjë maxhoranca, e cila ndryshoi formulën e zgjedhjes së anëtarëve të bordit të Bankës së Shqipërisë. Pas një mbledhjeje jashtë radhe të konferencës së kryetarëve, të djathtët kanë vendosur të ndajnë me PS-në dhe LSI-në 3 kandidaturat që propozohen nga Kuvendi, ndonëse ligji ia mundëson t’i ketë të tërë për vete.





“Janë tre vende për t’u zëvendësuar. U gjykua që të ndahen si propozime,
ose t’i merret edhe mendimi për një kandidaturë që ata do të
dëshironin, një për LSI-në dhe një nga PD-ja. Pra, tre kandidatura nga
tre grupet e mëdha parlamentare të parlamentit, ndryshe nga ç’parashikon
rregullorja që mund të jetë edhe vetëm nga maxhoranca. Dikur, në
2005-ën, nga 9 anëtarë të bordit të BSH, me zor është rënë dakord nga
ana e maxhorancës që një t’i lihet opozotës, që në atë kohë ishte në
opozitë PD”, tha Ardian Turku, N/kryetar i LSI-së.



Guvernatori i ri përzgjidhet nga Presidenti i Republikes mes 9 anëtarëve
të bordit të bankës. Nga ky bord, këtë vit riciklohen 7 prej tyre, pasi
2 kanë ende mandate. Qeveria ka sjelllë tashëm propozimet e saj, ndërsa priten 3 kandidaturat e Parlamentit dhe një i Këshillit Mbikqyres të Bankës. Në të njëjtën mbledhje, konferenca vendosi, rikthimin për diskutim në
komisione të të gjithë ligjeve me 3-5 të mbetura pezull prej vitesh për
mungesë votash. Propozimi që shënon një tolerim tjetër nga ana e maxhorancës, erdhi nga
kryetarja e Kuvendit, por sipas Turkut, kompromisi mbetet larg.



“Mendoj që nuk u arrit një kompromis konkret. Pra, refuzohen që të
gjithë nga konferenca e kryetarëve me dëshirën e kryetares, për të rënë
dakord për t’i futur në axhendën e punimeve të komisione, pra, për t’i
hequr nga seanca plenare. Përsëri nuk kemi një rezultat konkret”,
theksoi ai.



Në axhendë është përfshirë dhe votimi më 13 nëntor i rregullores së kuvendit, e cila të martën kalon tek komisioni i ligjeve.



Elona Gjylmi