Kryetari i opozitës Edi Rama ka garantuar se do të vijojë atë që e quan “politikën e dorës së shtrirë’’  në adresë të maxhorancës. Ky angazhim publik i tij, në mbledhjen e rradhës me grupin  parlamentar erdhi pasi ai komentoi përgjigjen negative që deputetët demokratë të komisionit të ligjeve, i dhanë tryezës për reformën në drejtësi që opozita zhvilloi të premten e javës që shkoi.





“Dhanë dje një mesazh të shëmtuar, megjithatë, ne do të vazhdojmë
politikën e dorës së shtrirë. Do të vazhdojmë të shohim përpara, do të
vazhdojmë të jemi zëri dhe forca e së ardhmes, sepse vendit i duhet
garancia e së ardhmes dhe statusi i kandidatit është një provë e kësaj
garancie”, tha Rama.



Përkrah nismave për ligjet me 3/5, Rama tha se opozita që ai drejton do
të këmbëngulë në heqjen e TVSH-së për bukën, qumështin,vezët dhe ilaçet.




“Këto janë të gjitha masa që u shërbejnë drejtpërdrejtë njerëzve të
zakonshëm, atyre që mbushin listat e borxheve në dyqane dhe që paguajnë
taksë 20 % për çdo kafshatë bukë, për çdo gllënkë qumësht, për çdo
kokërr vezë, për çdo aspirinë. Këto taksa duhen hequr. Ne do t’i heqim.
Do të heqim edhe taksën e input-eve bujqësore që sot u kushtojnë bujqëve
dhe fermerëve sa qimet e kokës dhe nuk do ta prekim TVSH-në e
prodhimeve të fushës, siç gënjen Saliu”, theksoi ai.



PS do të mbajë të marten asamblenë kombëtare, ku do të miratohen programi i ri politik dhe statuti i ndryshuar i socialisteve.



“Do t’u japim shqiptarëve një program bazë plot vizion, ide, alternativa
konkrete të cilin do ta zhvillojmë bashkë me ta në çdo qytet e në çdo
fshat derisa ta përsosim në çdo detaj për të mirëqeverisur Shqipërinë.
Kemi në dorë dy instrumenta që na duhen për të shkuar të sigurtë drejt
fitores së zgjedhjeve dhe për të bërë me fitore ndryshimin që i kemi
borxh Shqipërisë”, u shpreh Rama.





Rovena Moçka