Në një atmosfere me të vërtetë festive është  mbajtur koncerti jubilar "Rrugëtimi i Kombit" në Pallatin e Kongreseve, ku interpretuan artistët më në zë shqiptarë, të famshëm edhe në skenat botërore.
Mbrëmja madhështore nën skenografinë kuq e zi të Pallatit të Kongreseve, ideuar nga Gaettano Castelli, ku në qëndër valvitej flamuri shqiptar, u interpretua i pari Himni Kombëtar.
Më pas  vijuan këngë të tjera patriotike, nën dirigjimin orkestral të 100 instrumentistëve nga Zhani Ciko.
E para në skenë u ngjit sopranoja me famë botërore, Inva Mula e më pas baritoni shqiptar, Gëzim Myshketa, qe interpreton në skenat më në zë operistike, i cili  solli “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit.

Orkestra me 100 instrumentistë dhe 100 koristët interpretuan më pas këngë të njohura patriotike. 
Këngëtarët më të famshëm lirik të cilët drithërojnë zemrat e publikut aristokrat botërorë, janë bërë së bashku në  koncertin madhështor të 100 vjetorit të Pavarësisë. Përmes zërave të mrekullueshëm si sopranoja Inva Mula, tenori Saimir Pirgu, Gezim Myshketa, publiku shqiptar ka patur mundësinë të dëgjojë një repertor të zgjedhur të ajkës së krijmtarisë lirike shqiptare si, Prenk Jakova, Pjeter Gaci, Cesk Zadesë, Nikolla Zoraqit, Avni Mula, Feim Ibrahimi.
Nën drejtimin e orkestrës  nga  mjeshtrat si  Bujar Llapaj, Zhani Ciko, Ermir Krantja dhe Suzana Turkut. 
Nuk kane munguar edhe këngët polifonike nga grupi i Himarës, gërshëtimi i muzikës së mrekullueshme lirike  me performancën e trupës së baletit u mirëprit nga publiku.
Tenori Saimir Pirgu ka rrëqethur të pranishmit me këngën "Shqipëria ime".  

Spektatori  për rreth dy ore ka shijuar muzikën më të zgjedhur shqiptare duke përshkruar rrugëtimin e kombit shqiptar në pentagram.
Të gjithë artistët së bashku kanë  përmbyllur suksesshëm mbrëmjen gala si një akademi solemne e muzikës lirike shqiptare.