Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur në Tiranë, për të mbikëqyrur nga afër zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare. Top Channel ka mësuar se përfaqësuesit e misionit do të kenë një sërë takimesh të ngjeshura me ministrinë e financave dhe me Bankën e Shqipërisë.



Ky është një mision i programuar i FMN. Sipas marrëveshjes së re, misionet e fondit mbërrijnë në Shqipëri një herë në 6 muaj për të vlerësuar ecurinë e ekonomisë si dhe për të këshilluar qeverinë dhe bankën për politikat që duhet të ndjekin.


Por gjatë takimeve me qeverinë, veç bisedimeve të zakonshme për buxhetin dhe ekonominë, pritet të diskutohen edhe çështjet e nxehta si borxhi dhe programi 1 miliardë euro i koncesioneve.


Ndonëse ka vlerësuar me nota pozitive rritjen ekonomike dhe uljen e borxhit në dy vitet e fundit, FMN i ka kërkuar qeverisë të bëjë kujdes me koncesionet, të cilat sipas saj rrezikojnë financat e shtetit.


Pak ditë më parë shefi i zyrës së FMN në Tiranë, Jens Reinke i kërkoi publikisht qeverisë përmes një interviste në Top Channel që të pezullojë dhënien e koncesioneve të reja, pasi sipas tij ato po jepen pa marrë parasysh kostot dhe përfitimet. Ky shqetësim pritet te diskutohet zyrtarisht edhe nga misioni i FMN, ne takimet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare.


Më marrëveshjen e re, FMN nuk ka më fuqi imponuese mbi politikat e qeverisë shqiptare. Megjithatë Fondi Monetar do të vazhdojë të ndjekë nga afër ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe të shpreh publikisht qëndrimet e tij mbi politikat e qeverisë.


8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)