Programi 1 miliard euro dhe në veçanti kontratat e partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e disa akseve kombëtare, sipas qeverisë, do të japin ndikim në rritjen ekonomike të vendit.


Në varësi të hyrjes në ekonomi të të gjithë investimeve ose të bërjes fizike të këtyre investimeve, pjesën fizike, kuptohet edhe transaksionet, besoj që ndër vite do të ketë një rritje ekonomike 1%, u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.


Duke filluar nga viti tjetër, flukset e investimeve të huaja direkte pritet të pësojnë rënie graduale për shkak të uljes së volumit të punimeve në gazsjellësin transadriatik dhe kaskadën e Devollit. Pesha e këtyre veprave është jo e vogël dhe shpresat janë që duke mbajtur lart financimet përmes PPP-ve në infrastrukturë, të ruhet një nivel investimesh që do të zëvendësonin ndikimin në ekonominë tonë të përfundimit të këtyre projekteve.


Fatura e 5 koncesioneve të mëdha në infrastrukturën rrugore që janë miratuar nga qeveria deri më tani është 53.8 miliardë lekë ose mbi 1.2 miliardë euro, duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.


Ndërkohë, këtyre projekteve pritet ti shtohet dhe koncensioni për rindërtimin e autostradës Tiranë-Durrës. Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion një shifër prej 380 milionë eurosh.


14 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)