Sekretarja amerikane e shtetit Condoliza Rajs nuk u dha rëndësi disa njoftimeve të medias se ajo është kandidate e mundshme për nënpresidente për senatorin John McCain, i cili e ka siguruar emërimin e Partisë Republikane për president. Zonja Rice thotë se dëshiron të kthehet në punën e saj në Universitetin e Stanfordit kur t'i ketë mbaruar mandati në administratën e tanishme.Ajo ka qenë Këshilltare e Presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar para se të bëhej Sekretare e Shtetit, shihej nga disa analistë politikë dy vjet më parë si kandidate e mundëshme republikane për presidente për zgjedhjet e 2008-s. Rajs vazhdimisht i ka mohuar zërat se ka patur ambicje presidenciale ndërsa tani që senatori John McCain e ka të siguruar emërimin e Partisë Republikane për president, ajo nuk po u kushton rëndësi komenteve se mund të jetë e interesuar për të kandiduar si nënpresidente.Spekulimet e kohëve të fundit lidhur me zonjën Rajs morën shkas nga pohimi i bërë gjatë fundjavës nga lobisti republikan Dan Senjor, i cili thotë se zonja Rajs po bën fushatë aktive për të marrë kandidaturën për nënpresidente.


Senjor, ish zëdhënës i autoritetit të përkohshëm amerikan në Irak, i tha një kanali televiziv se zonja Rajs e kishte shfaqur interesimin e saj për këtë post duke u takuar mes të tjerash privatisht me një grup politik republikan.


Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Sean McCormack u përpoq dje t'i mbyllë spekulimet për këtë çështje, duke thënë se zonja Rajs e ka bërë të qartë në shumë raste se nuk është e interesuar për postin e nënpresidentes.


Dje, zonja Rajs iu përgjigj një pyetjeje të tillë gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrat e jashtëm të Kanadasë dhe Meksikës.