Njëra nga organizatat më të njohura europiane për punë të jashtme është European Council for Foreign Affairs.
Kjo organizatë tash e shumë vite mbledh kokat më të mençura për të diskutuar prapa dyerve të mbyllura, çështjet më të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Këtë vjeshtë, ECFRi ka bërë partner MPJnë e Kosovës për organizonim e një konference me disa nga fytyrat më të njohura të diplomacisë europiane.
Dr. Dimitar Bechev, Shef i Zyrës Rajonale të ECFR në Sofje, thotë se konferenca do të fokusohet në zhvillimet e fundit në Europë, duke marrë parasysh stadin e integrimeve europiane, por edhe rolin e aktorëve të rinj në Europë Juglindore.
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, pohon për Express se kjo është ndër konferencat më të mëdha të këtij lloji të organizuar në Kosovë ndonjëherë.
E veçanta është se konferenca doli nga një bashkëpunim i thellë dhe i mirëfilltë i shumë aktorëve. Fillimisht bashkëdyzuam mjetet me Ambasadën britanike, duke fuqizuar British Council të angazhohet në diplomaci publike, së bashku me Ministrinë tonë. Kështu filluar rreth 20 projekte të vogla e të mëdha, shumicën me partnerë kredibilë nga Kosova dhe bota, me qëllim të futjes së Kosovës në agjendë të diskutimeve si pjesë esenciale e debatit mbi zgjerim dhe politikë të përbashkët europiane, ka thënë Selimi.
Kosova është sfide paneuropiane, e cila e dështon synimin që BEja të ketë politikën e përbashkët të sigurisë dhe të punëve të jashtme. Kjo duhet të thuhet dhe kjo duhet të jetë baza e konsideratave të partnerëve europianë. Organizatat si ECFRja, apo Chatham House, por edhe shumë individë të tjerë, miq dhe dashamirë tashmë janë angazhuar që gjatë vitit të kemi disa platforma të përbashkëta të komunikimit, ka shtuar ai.
Pritet që në konferencë, e cila do të quhet Konferenca e Gërmisë dhe e cila mbahet më 18-19 nëntor, të vijnë ministrat e punëve të jashtme të Sllovenisë, Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë, por edhe ish-ministrat e Francës, Finlandës, Hungarisë, zyrtarë të lartë të diplomacisë britanike, amerikanë, austriakë, malazezë, publicistë nga revistat Economist, NY Times, por edhe ato ballkanike si Zama, apo Politika e Serbisë, drejtorë të thinktankve dhe institucioneve shtetërore nga tërë Europa, duke përfshirë edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si Spanja, Rusia, Ukraina, Greqia, Serbia, Rumania, Moldavia, përfaqësues europianë të bankave eminente, opinionistë.
Temat që do të shtjellohen kanë synim të krijojnë bazë për zhvillim të politikave të qeverive europiane. Dr. Bernard Kushner pritet që ta mbajë fjalimin kryesor, ndërsa vetë konferenca do të hapet nga Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi.
Sesionin ministror të konferencës do ta udhëheqë vetë Ministri Hoxhaj.