Për të punuar aktivisht dhe për të frymëzuar të gjithë aktorët për anëtarësimin në BE, sipas PES, kërkohet një vizion i ri për Ballkanin Perëndimor. Sipas socialistëve evropianë, ky vizion i ri për Evropën e re është Zgjerimi 2014. Në deklaratën e miratuar në Sarajevë, bëhet e qartë se PES si familja politike më e përkushtuar evropiane ndaj integrimit evropian të Ballkanit, e miraton fuqimisht vizionin për Zgjerimin 2014. Ata vënë në dukje se viti 2014 duhet të jetë një gur kilometrik në hartën e rrugës drejt anëtarësimit në BE, duke mbajtur parasysh se disa prej vendeve mund të jenë anëtarë të BE-së edhe më parë. Kjo e bën atë një datë simbolike, që shënon njëqindvjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kjo është një datë ambicioze, por megjithatë e mundshme, e cila nënkupton edhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit të përcaktuara nga ana e BE-së. Udhërrëfyesi i këtij vizioni është deklarata e Këshillit Evropian të Selanikut 2003, e cila përcakton vlerat e BE-së dhe vazhdimin e Zgjerimit në kuadrin e Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit (PSA). Ai bën thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe çështjeve përkatëse humanitare, si dhe evidentimin e rëndësisë së bashkëpunimit rajonal dhe begatisë ekonomike për stabilitetin rajonal, - shkruhet në deklaratën e socialistëve evropianë. PES ka qenë përfshirë në mënyra aktive në Ballkanin Perëndimor qysh nga mesi i viteve 90 dhe ka ndërtuar rrjete dhe zhvillime solide me parti politike socialiste dhe social-demokrate. Fitoret e kohëve të fundit zgjedhore të partive socialiste dhe social-demokrate në Ballkanin Perëndimnor nxjerrin në pah mentalitetin modern socialdemokrat të rajonit dhe ofrojnë një platformë premtuese politike për realizmin e Zgjerimit në vitin 2014. Ky zhvillim duhet mbështetur dhe zhvilluar më tej. PES-ja, me anëtarësimet e reja dhe përmirësimet e bëra në kongresin e saj në vitin 2009, është edhe më e përkushtuar dhe me një prani edhe më të madhe në rajon. PES e siguron rajonin për mbështetjen dhe solidaritetin e saj. Ne, - thuhet në deklaratë, - mirëpresim me kënaqësi përpjekjet e rajonit drejt anëtarësimit në BE. Për zgjidhjen e sfidave të mbetura rajonale, është e nevojshme të ndërmerren shumë hapa praktikë. PES ka qenë një force për paqe dhe tolerancë në rajon. Si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2014, përshëndet mentalitetin pro-evropian të rajonit. Lidhur me këtë, PES siguron rajonin për mbështetjen, miqësinë dhe solidaritetin.