Shumica e prioriteteve të prashtruara në planin e veprimit janë plotësuar. Një qëndrim i tillë u bë publik nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Në një renditje të këtyre prioriteteve, ministrja Bregu veçoi ecuritë pozitive në administratën publike, konkretisht në përmirësimin e kuadrit ligjor.
Njëkohësisht sipas saj, në sistemin e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionin është bërë mjaft progres, duke ndikuar dhe në rritjen e mëtejshme të transparencës.
Ashtu si kundër është bërë progres në luftën kundër trafiqeve të drogës, duke zbatuar maksimalisht ligjin antimafia.
Gjithashtu, ministrja Bregu ka ripërsëritur sërish ftesën ndaj opozitës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, duke e parë atë si një çështje mjaft të rëndësishme në rrugën drejt integrimit të vendit në BE. Madje, kjo rëndësi është e barazvlefshme me vetë realizimin në kohë të reformës zgjedhore, për të cilën Bregu kërkoi nga klasa politike të nxitojë në arritjen e një konesnusi, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Nga ana e tij, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i rikujtoi politikës shqiptare faktin se Bashkimi Europian e ka bërë të qartë qëndrimin e saj duke kërkuar përmbylljen e reformës zgjedhore. Sipas tij, heqja e imunitetit, gjithashtu, është me rëndësi për integrimin. Ambasadori Sequi shprehu vlerësimin e tij se Shqipëria është kandidate e mundshme për statusin dhe vetë BE mbështet integrimin e saj.