Familja Kongoli (Kooli) nga themeluesi i Shoqërisë së parë anonime SAIDE, kontributi për lëvizjen demokratike të Nolit tek dëshmorët e luftës nacional-çlirimtare. Flet Adhurim Kongoli, historia e familjes, babai i tij dhe vështirësitë që hasën pas çlirimit





ELBASAN - Familja Kongoli ose Kooli ka marrë këtë mbiemër si rezultat i një bime që rritej në arat e saj shumë shekuj më parë. Sipas historisë së familjes, rezulton se dy djemtë e parë që përkujtohen me emra ishin berberë.





Aliu, njëri prej tyre është dhe gjyshi i Adhurimit një prej mësuesve të njohur të matematikës në Elbasan. Adhurimi tregon se familja e tij ruan shumë histori qysh nga fillimshekulli XX e deri më sot. Për shkak të rrethanave kjo familje u nda në dy pjesë, në të angazhuar në lëvizjen nacionalçlirimtare dhe në të paangazhuar.





Një pjesë u persekutua, ndërsa pjesa tjetër u përkrah. Por edhe kjo e fundit nuk do t'i shpëtonte persekutimit disa vite më vonë.





Nga kjo familje kanë dalë Abdyl Kongoli, krijuesi i shoqërisë së parë private në Shqipëri, shoqëria e duhanit SAIDE, kompozitori i njohur Baki Kongoli dhe së fundi shkrimtari me emër Fatos Kongoli. Kjo familje ka nxjerrë mësues e inxhinierë.





Historia e familjes





Adhurim Kongoli, djali i Abdylit, tregon rrënjët e familjes dhe vazhdimin me peripecitë që i ndoqën. Siç thotë Adhurimi, dy vëllezërit Ali dhe Mahmut Kooli ishin berberë. Mahmuti pati dy fëmijë Sabriun dhe vajzën Bizhdanin. Sabriu ndoqi traditën e familjes si berber, ndërsa vajza e tij Bizhdani u martua me Mustafa Demirin. Ndërkohë Sabriu pati dy fëmijë, të cilët u bënë xhandarë.





"Gjyshi im Aliu, u martua dy herë, me gruan e parë pati dy fëmijë: Xhaferrin dhe Abdylin, ndërsa me gruan e dytë Musain, Bakiun dhe dy vajzat, Dijen dhe Bukurien. Xhaferri dhe Abdyli morën bursë studimesh për në Turqi, i pari për mjek dhe i dyti oficer. Abdyli mbaroi akademinë në vitin 1912 dhe u vendos kapiten i parë në artileri.





Më pas ai u emërua nënkomandant i ushtrive të para shqiptare, ku komandant ishte Kamo Sejdini. Në vitin 1915 Abdyli u martua me një vajzë nga fisi Salibasha dhe shtëpinë e kalasë ua la vëllezërve të tij.





Pasi shërbeu në Gjirokastër, Vlorë, Fier, vendos të rikthehet në Elbasan si komandant i xhandarmërisë. Në kohën e kryengritjes së Haxhi Qamilit ai u arrestua, por duke qenë se ishte i vetmi artilier i shkolluar, falet dhe dërgohet në frontin e Shijakut. Ishte kundërshtar si shumë patriotë elbasanas i kryengritjes rebele të udhëhequr nga Haxhi Qamili.





Një fakt i tillë është pasqyruar në vëllimin "Dokumente Historike" të mbledhura nga Lef Nosi që mban nr.8 të vitit 1924. Gjithashtu Abdyli ka marrë pjesë në revolucionin demokratik të qershorit 1924. Kjo gjë, - sipas Adhurimit, - dëshmohet edhe nga arratisja në Itali pas dështimit të këtij revolucioni".





Abdyl Kooli emigroi në cilësinë e emigrantit politik dhe një fakt i tillë është evidentuar në dy letra të demokratit Ahmet Dakli gjatë kohës që ishte në emigracion. Këto fakte i konfirmoi Liman Varoshi në kohën kur ishte drejtor i Muzeut të Elbasanit.





Abdyli komandoi forcat antizogiste gjatë sulmit për rrëzimin e Zogut në vitin 1924. Me arrestimin e Nolit, ai u arratis në Itali bashkë me familjen dhe fëmijët: Fatriun, Kujtimin, Gazmendin dhe Adhurimin. Kur mbreti shpalli një amnisti, Abdyli u kthye, por me kthimin e tij nuk u angazhua më në politikë dhe as në ushtri.





Abdyli themeloi të parën shoqëri shqiptare me aksionerë





Gjatë kohës së arratisë në Itali, Abdyl Kooli mëson sesi mund të funksiononin shoqëritë aksionere dhe si ato mund të përbënin një biznes të suksesshëm në fillim të shekullit XX. Ishte pikërisht kjo eksperiencë që babait të katër fëmijëve i shërbeu kur u kthye në Elbasan. Ai e mendoi mirë se duhani mund të ishte shumë fitimprurës, meqenëse ishte një bimë kultivimi i së cilës ishte i përhapur.





Ai nuk u angazhua më në politikë dhe nuk iu kthye më profesionit të tij, por ndërmori hapin e parë drejt një biznesi të suksesshëm, shoqërinë e parë anonime të prodhimit të duhanit me shumë aksionerë në Elbasan.





Abdyl Kongoli mblodhi tregtarët, u shpjegoi idenë e tij dhe i bindi që të kontribuonin si aksionerë. Pas kësaj u ble edhe toka dhe ndërtohet fabrika. Ahmet Burburia dërgohet në Gjermani për të blerë makineritë, ndërsa Qazim Xhepa ishte arkëtar i shoqërisë private.





SAIDE (Shoqëria Anonime Industriale e Duhaneve Elbasan) u krijua në vitin 1927. Kjo shoqëri, e para e këtij lloji në Elbasan, ishte gjithashtu edhe e para në Shqipëri që ka vepruar në fushën e industrisë së duhanit dhe cigareve.





Në vitin e themelimit kapitali fillestar ishte 240 mijë franga ari. Fillimisht kishte 20 punëtorë, ndërsa në fund të viteve '30 deri në 50 punëtorë. SAIDE mbante lidhje të ngushta me prodhuesit dhe tregtarët e Elbasanit, nga të cilët siguronte lëndën e parë.





Këto lidhje dëshmohen edhe në një dokument të një mbledhjeje të Dhomës së Tregtisë të bërë në vitin 1935, ku merrnin pjesë drejtuesit e SAIDE-s, Abdyl Kongoli, Beqir Rusi, si dhe një grup tregtarësh dhe prodhuesish elbasanas të duhanit.





Në bilancin e parë të fabrikës, në vitin 1928, ajo rezultoi me fitim dhe u shpërblyen aksionerët e parë duke tërhequr edhe të tjerë të interesuar për t'u bërë pjesë e saj. Kryetari i këshillit të fabrikës ishte Nazmi Baholli, ndërkohë që kryetar sindikate ishte Qemal Hoxha.





Abdyl Kongoli e drejtoi deri në vitin 1947 kur fabrika u shtetëzua dhe më pas u mbyll për t'u kthyer në Shtëpi Kulture. Ndërtesa ka qenë në këmbë, por për shkak të amortizimit dhe zgjerimit të rrugës, ajo u shemb.





Persekutimi i Abdylit





Menjëherë pas mbylljes së SAIDE-s, Abdyl Kongoli dërgohet në punë të detyrueshme në Fushë-Buall, por nuk kalon shumë dhe arrestohet. Qëndron për 4 muaj në hetuesi dhe gjyqi i bëhet natën e vitit të ri në fund të vitit 1947, fillimi i vitit 1948.





Adhurimi rrëfen se babai i tij u përball me tortura nga më të tmerrshmet dhe kur e kuptoi se nuk kishte asnjë shpëtim, u tha torturuesve të tij që në shtëpi kishte disa dokumente. Një thënie e tillë shërbeu si një justifikim për të takuar për herë të fundit fëmijët. "I shoqëruar nga policët, ai vjen në shtëpi dhe ndërsa ngatërronte vendin, takon një nga një fëmijët.





Ajo do të ishte hera e fundit që do ta shihnim, - shprehet Adhurimi. - Ai nuk qe angazhuar, por nuk e donte komunizmin. I ngritën disa akuza absurde dhe e dënuan me burgim të përjetshëm.





Na u sekuestrua gjithçka, deri dhe veshjet e trupit". Ndërkohë Abdyli dërgohet në Maliq në vitin 1950 në 6-7 shkurt të po këtij viti vdes pasi vuante edhe nga tensioni. Familja përfundoi në varfëri të plotë. Tre djemtë e Abdylit shkojnë në Tiranë ku vazhdojnë pedagogjiken.





Familja pas internimit të Abdylit





Adhurim Kongoli tregon se për ta ka qenë e vështirë pas vdekjes së babait. Ai thotë se, edhe pse kërkoi të vazhdonte studimet e larta, e drejta iu mohua, por u dërgua mësues në periudhën 1952-1955 në Burrel, në vitin '55 në Krujë ku dha mësim për 6 vjet e më pas në Mamurras, në Thumanë, Derven. Vetëm kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik, Adhurimit i doli e drejta në Shkodër, dy vjet.





Më pas ai qëndroi në Shkodër në pedagogjike për 5 vjet. Shkoi në Elbasan, fillimisht në Labinot e më pas në Cërrik ku qëndroi për 20 vjet. U rendit një ndër mësuesit më të mirë të matematikës. Ndërkohë, vëllai i tij, Fatriu, mbaroi Kimi Industriale e arriti të zbulojë formulën e thjeshtë të shkrepëseve.





Gazmendi mbaroi Letërsi, ndërsa Kujtimi ishte mësues në Tropojë, por ishte i sëmurë dhe për një kohë të gjatë qëndroi në spital.

Adhurimi e ka dashur gjatë gjithë jetës arsimin.





Ai ka qenë jo vetëm një mësues shumë i mirë i matematikës, por prej 20 vjetësh është edhe një mësues shumë i mirë i gjuhës angleze. Ka dy djem: Admirim Kongolin, Inxhinier Mekanik, sot Sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës dhe Andin që ka mbaruar për fizkulturë.



Bashkëshortja e Adhurimit, Bardhoshja, ka shërbyer si një edukatore gjatë gjithë viteve të punës me një përkushtim ndaj arsimit, që elbasanasve nuk i ka munguar dhe nuk u mungon.





Baki Kongoli, kompozitori i njohur





Baki Kongoli, një ndër kompozitorët e njohur shqiptarë, rritet në një familje elbasanase me tradita patriotike. Mbaron Shkollën Normale dhe fillon dhënien e mësimit në Fier. Gjatë Shkollës Normale mëson violinën dhe muzika kthehet në ëndrrën e tij duke bërë që në vitin 1937 të mbarojë konservatorin e Pavios në Torino për violinë.





Krahas saj merr mësime për kompozicion, orkestracion dhe histori arti. Emërohet pedagog në Shkollën Normale për muzikën. Ndërton dhe drejton orkestrën e njohur me violina dhe mandolina.





Me pushtimin fashist të vendit, Baki Kongoli lidhet me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe del partizan në vitin 1943. Gjatë një shtetrrethimi gjerman, ndërsa Bakiu ishte në shtëpinë e tij në Kala bashkë me Musain, vëllanë e tij, i tha këtij të fundit të rrinte e të kujdesej për gratë e familjes, ndërsa vetë ikën, por nga kontrolli i gjermanëve në çatinë e shtëpisë u gjet një thes me trakte.





Atëherë Musain e arrestojnë dhe e internojnë në kampet gjermane, në Mathauzen. Musai zhduket pa gjurmë.

Baki Kongoli pas çlirimit u rikthye mësues në Normale dhe më pas u emërua në Tiranë në pozicione me rëndësi.





Njihet si autor i shumë krijimeve muzikore, si: opereta "Vajza e Portokalleve", e realizuar në skenën e qytetit të Elbasanit, "Tangoja Shqiptare" etj. Në vitin 1956 zgjidhet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Bëri emër vçanërisht në muzikën e lehtë, por ishte edhe një njohës i mirë i folklorit qytetar.





Më 1967-n caktohet zv.drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, detyrë që e kryen deri në vitin 1974 që del në pension.





Ai kishte lidhje me të gjithë muziktarët më në zë siç qe rasti i Tefta Tashkos, me të cilën kishte korrespondencë, të cilën e ka ndihmuar me këngë burimore popullore. Në fushën e kompozimit muzikor, Baki Kongoli është autor i rreth 200 këngëve dhe i dy operetave.





Ai ka dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen e institucioneve të para muzikore shqiptare, si: filarmonia, TOB, konservatori shtetëror etj. Në vitin 1974 pas arrestimit të Beqir Ballukut, me të cilin kishte shoqëri, Baki Kongoli përjashtohet nga partia dhe pozicionet drejtuese. Bakiu ka tre djem, Fatosin, Rolandin dhe Artanin. Fatosi dhe Rolandi studiuan matematikë-fizikë, ndërsa Artani ekonomik





Xhaferr Kongoli





Xhaferr Kongoli, dëshmor i Luftës Nacional-Çlirimtare ka qenë një ndër mjekët e njohur të Elbasanit. Emrin e tij mban sot qendra spitalore e Elbasanit dhe një shkollë nëntëvjçare. Edhe Xhaferr Kongoli do të kalonte nëpërmjet bangave të Normales. Ai shkoi në Stamboll për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë.





U diplomua dhe u kthye duke filluar punën si mjek në Elbasan. Mori pjesë në lëvizjen e qershorit në vitin 1924 për të cilën edhe u burgos. Deri në vitin 1929, Xhaferri punoi si mjek në Berat në familjen Zaloshnja dhe më pas me mbarimin e luftës italo-greke u transferua në Elbasan.





Ai u angazhua në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe u zgjodh kryetar i këshillit të NAÇL për Elbasanin. Punoi duke strehuar e mjekuar të plagosurit partizanë. Në vitin 1943 internohet në Porto-Romano ku qëndroi deri në kapitullimin italian. Në fund të nëntorit 1943 arrestohet dhe pushkatohet nga forcat e Gestapos. Pati 4 fëmijë: Destarin, Aliun, Engjëllin e Pranverën, të cilët mbaruan të gjithë shkolla të larta.





Fatos Kongoli propozohet për qytetar nderi





Shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli, i biri i Baki Kongolit, është nderuar kohët e fundit me titullin me të lartë që jepet në Francë "Kalorës i Legjonit të Nderit", një vlerësim i akorduar nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi.





Nëpërmjet përkthimeve nga Edmond Tupja veprat e Kongolit, si: "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Te porta e Shën Pjetrit", "Hija e tjetrit" janë njohur në Francë e vende të tjera.





"Do ta quaja një histori adhurimi të heshtur, në largësi", ka thënë Kongoli gjatë fjalës së tij me marrjen e këtij titulli nderi (Legjioni i Nderit është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të vitit 1802 dhe për herë të parë është dhënë në 15 qershor të 1804-s). Fatos Kongoli lindi në vitin 1944.





Ai njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Kongoli lindi në Elbasan dhe ka studiuar matematikë në Kinë. Siç tregon edhe shkrimtari, "Ne të tre" është romani i parë.





"E kam filluar ta shkruaj nga fundi i vitit 1983, e kam mbaruar nga fundi i vitit 1984, dhe është botuar nga mesi i 1985-s. Më kujtohet se, që kur u botua, pati një tirazh të mirë për atë kohë. Libri u prit shumë mirë, brenda disa muajve u zhduk nga qarkullimi për t'u ribotuar vetëm vitet e fundit.





Ndërkohë novela e tij e parë, titulluar "I humburi" (Tiranë, 1992) përshkruan ngjarjet e marsit 1991, kur gati 10 000 refugjatë shqiptarë iu drejtuan brigjeve detare për t'iu larguar Shqipërisë së asaj kohe. Romani i fundit i Fatos Kongolit është "Bolero në Azilin e Pleqve", roman që është pëlqyer shumë dhe ka marrë vlerësimin e kritikëve.





Prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi i ka propozuar Këshillit Bashkiak për dhënie titulli "Qytetar Nderi" për shkrimtarin e njohur elbasanas Fatos Kongoli.





"Duke qenë i bindur se ndaj me ju të njëjtin mendim e vlerësim për punën, veprën dhe figurën e shkrimtarit elbasanas me përmasa ndërkombëtare, Fatos Kongoli, ju propozoj që në një nga mbledhjet tuaja të merrni në konsideratë vlerësimin me titullin Qytetar Nderi i Elbasanit.





Mendoj se ky vlerësim do të ishte në nderin tonë dhe qytetarëve që përfaqësojmë pasi z. Kongoli përfaqëson denjësisht qytetarinë dhe kulturën e qytetit në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar", shprehet Deliallisi në propozimin e tij.





Komisioni për vlerësimin e figurave ka marrë propozimin dhe pritet të shqyrtojë dokumentacionin dhe ta risjellë në mbledhjen e ardhshme, ku edhe pritet të miratohet.