Autori i Lajmit: Redaksia
Socialistët evropianë mbështesin Partinë Socialiste të Shqipërisë. Mbështetja e tyre është konfirmuar gjatë takimeve që kryetari i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar dje në Pragë ku po merr pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane. Sipas zyërës së shtypit të PS-së, Kongresi i PES-së i ka kërkuar kryeministrit Berisha dhe mazhorancës qeverisëse që të respektojnë liritë dhe të drejtat e njeriut duke siguruar transparencën e zgjedhjeve. Ndërkohë gjatë fjalimit të tij kryesiocialsiti Rama ka bërë një analizë të zgjedhjeve në Shqipëri duke vënë theksin tek vlertësimi i PSBE/ODHIR sipas të cilit në 1/3 procesi i numërimit shkoi keq ose shumë keq.



Deklarata



Në fillim të fjalës së tij në këtë Kongres Rama është fokusuar në situatën e demokracisë në Shqipëri, në lidhje me vështirësitë, sipas tij, gjithnjë e më të mëdha për opozitën, për median në Shqipëri, për biznesin që nuk është i lidhur me pushtetin, për shoqërinë civile e në lidhje me vështirësitë e kujtdo qytetari sot në Shqipëri, vështirësi që vijnë si pasojë e një procesi të kontestuar elektoral. Është shumë e rëndësishme që në vende si Shqipëria që e ka shprehur tashmë vullnetin për të ecur në rrugën e integrimit, të garantohen të gjitha të drejtat, duke filluar sigurisht, që nga e drejta për të votuar lirisht e për të patur pas saj një numërim të drejtë të votave”, - tha Rama duke përmënuar më tej dhe raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet sipas të cilit 1/3 e procesit të numërimit shkoi keq ose/dhe shumë keq. Një raportim i tillë ka shtuar ai, është akoma më i rëndësishëm po të kemi parasysh se në vend votuan rreth 1.5 milion njerëz dhe rezultati final u përcaktua nga jo më shumë se 25 mijë vota! “Ajo që ne sot po kërkojmë, është që të kemi transparencë të plotë të këtij procesi jo me qëllim për të ripërcaktuar mandatet, por me të vetmin qëllim që të garantojmë proceset e ardhshme zgjedhore dhe të garantojmë funksionimin e të gjithë sistemit demokratik në vend. Kjo kërkesë nuk pa pasur asnjë përgjigje pozitive deri më sot nga koalicioni qeveritar. Në vend që ne të marrim garanci se proceset zgjedhore dhe i gjithë sistemi demokratik në Shqipëri nuk do të rrezikohen, po përballemi çdo ditë e më shumë me një përkeqësim gjithnjë e më të madh të standardeve demokratike duke filluar që nga gjuha që qeveria po përdor në komunikimin publik, gjuhë e cila po e shtyn vendin drejt një vale urrejtjeje përmes deklaratave që tentojnë ta përshkruajnë opozitën si “një mafia që duhet shkatërruar” dhe si “një aleancë që po synon të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - tha ai. Pas fjalës së tij në këtë Kongres Rama ka zhvilluar disa takime me drejtues të ndryshëm të partive të majta në Evropë, mes të cilëve me Pier Luixhi Bersani, kryetar i Partisë Demokratike Italiane, ish- Kryeministrin DAlema, me Komisioneren në Komisionin Europian Maria Damanaki, me Kryetarin e Partise Social Demokrate Gjermane, Gabriel Sigmar, me Branko Cervenkosvsky, kryetar i LSDM - ish President i Maqedonisë dhe me kryetarin e Partisë Socialiste bullgare, Sergey Stanishev. Një takim të veçantë, Kryetari i PS-së zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala. Sipas zyërës së shtypit të PS-së, në takimin e posaçëm që Kongresi i PES zhvilloi për çështjet e Ballkanit u propozua një qëndrim të PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri. “Në dokumentin që mori pëlqimin e të gjithë të partive në tryezë thuhej: Partia e Socialistëve Evropianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria. PES i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se "në Shqipëri demokracia dhe duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten”, - informon PS. Zyra e shtypit e selisë rozë informon më tej se Kongresi i PES i ka bërë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe koalicionit qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do ti jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament. PES mbështet angazhimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria”, - përfundon njoftimi i selisë rozë.



Ky lajm është publikuar: 08/12/2009