Partia Socialiste zhvilloi të shtunën që lamë pas, Kongresin e saj të radhës ku edhe u konfirmuan 7 kandidatë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, mes tyre edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.


Por, duket se Kongresi i PS që hodhi edhe bazat e përgatitjes për procesin e ardhshëm zgjedhor nuk ka kaluar pa tensione në kampin e majtë.


Prej dy ditësh në media po qarkullon lajmi se midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së PS-së në Tiranë, Blerina Gjylameti ka pasur një debat të ashpër.


Gjurma.al raportoi më 23 mars se Kryesocialistja e Tiranës ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë pas debatit me kryeministrin dhe molla e sherrit duket se kanë qenë 100 kandidatët për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.


Sipas mediave, në listën për ekipin e ri të Veliajt kanë munguar emra të propozuar nga Blerina Gjylameti dhe kjo e fundit ka pretenduar se nuk është pyetur rreth listës.


Madje në disa foto që po qarkullojnë në rrjet janë fiksuar momente pikante nga Kongresi i PS, ku Gjylameti shihet me buzët e rrudhura, teksa Rama i mban distancë, ndërsa në një rast i hedh dorën supeve ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.


Por pavarësisht aludimeve, Gjylameti nuk ka konfirmuar të ketë pasur ndonjë dorëheqje apo përplasje me shefin e qeverisë, por ka folur për të ardhmen, teksa ajo është edhe një prej udhëheqësve kryesorë në kryeqytet të fushatës së Erion Veliajt.


Kongresi elektoral i Partisë Socialiste dhe tryeza e diskutimit mbi Reformën Zgjedhore. Familja e madhe socialiste zhvilloi Kongresin e elektoral duke shënuar pikënisjen e sfidës në zgjedhjet lokale 2019.  Pjesë e sesionit ishte dhe tryeza e Reformës Zgjedhore bashkë me Damianin dhe Bledin.  Vazhdojmë përpara punën tonë për projektin e madh të Shqipërisë që duam!, shkroi ai në FB, duke injoruar zërat që flisnin për dorëheqjen.


Kështu, Gjylameti nuk e ka konfirmuar dorëheqjen, por as e ka mohuar atë!


Ndërkohë, sot si çdo të hënë Edi Rama ka mbledhur Kryesinë e PS, ku me shumë gjasë do të diskutohet edhe për çështjen Gjylameti.


Nuk përjashtohet mundësia që kryesia e PS-së gjatë mbledhjes së sotme të komandojë një kryetar të PS-së së Tiranës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në rast se konflikti ka çuar vërtet në një krisje të madhe.