Dështojnë bisedimet e para mes presidentit Ardian Takaj dhe lojtarëve që u ka skaduar kontrata me Skënderbeun. Plot 11 prej tyre mësohet se kanë refuzuar të rinovojnë marrëveshjen. Pas ndryshimeve që ndodhën në krye të klubit, shumica e lojtarëve pa kontratë janë takuar me presidentin e ri të martën në mbrëmje dhe gjatë ditës së djeshme. Si përfundim, përveç portierit Orges Shehi, i cili ka pranuar në parim ofertën, të gjithë lojtarët e tjerë nuk i kanë premtuar Takajt se do të rinovojnë. Bëhet fjalë për titullarë të rëndësishëm të korçarëve. Çuditërisht, në bisedime me drejtuesit e rinj janë futur edhe ata lojtarë, të cilët kanë ende një sezon kontratë me Skënderbeun. Strategjia e re e klubit për rishikimin e të gjitha kontratave ka bërë që emra si Plaku e Arapi të rinegociojnë. Kushtet e reja nuk kanë marrë miratimin e lojtarëve, për më tepër që tashmë ata kanë edhe një farë pasigurie për të ardhmen te Skënderbeu. Lojtarët e skuadrës korçare nuk do të kenë më shansin për të marrë një shumë të majme kesh në dorë përpara se të firmosin kontratat e reja. Burime të sigurta në klub tregojnë se tashmë gjithçka do të funksionojë ndryshe. E gjithë kontrata do të jepet me rroga, dhe jo me këste si më parë. Ky kusht ka stepur lojtarët Vrapi, Plaku, Kuli, Arapi, Fagu, Muzaka, Gvozdenoviç, Radas dhe Biskup. Ndërkohë, Allmuça dhe Bratiç, pasi kanë dëgjuar presidentin e ri, nuk janë menduar dy herë, por kanë firmosur për skuadra të tjera. I pari është zyrtarizuar në Kukës, ndërsa i dyti sot pritet të nënshkruajë për Flamurtarin. Deri dje, të vetmit lojtarë që ende nuk kishin biseduar me kreun e ri të klubit ishin sulmuesi Daniel Xhafaj dhe kapiteni Bledi Shkëmbi. Mësohet se me dy lojtarët do të ketë një takim sot, por gjasat më të mëdha janë që të rinovojë marrëveshjen vetëm kapiteni Shkëmbi. Ky i fundit ka pranuar për gazetën se e shikon vetën pjesë e Skënderbeut, pavarësisht ndryshimit në presidencë. Lojtarët tashmë mund të shpërblehen vetëm në fund të sezonit, në rast se duan të përfitojnë gjithë kontratën. Klubi i Skënderbeut ka vendosur si kusht mbajtjen e 30% të shumës së kontratës në rast se ekipi nuk arrin objektivin. Kushti është shpallja kampion, por kjo klauzolë ka bërë që futbollistët të hezitojnë të firmosin kontratat e reja. Dje u dha sinjali i qartë që shumica e tyre nuk e kanë tashmë mendjen për të vazhduar karrierën te Skënderbeu. “Ato parà që ju keni marrë në dorë fillimisht, tashmë do t’i meritoni në fund. Do të kalohet direkt në rroga dhe, nëse arrini objektivit, atëherë gjithçka do të derdhet në llogaritë tuaja”, mësohet se u ka thënë dje presidenti Takaj lojtarëve.


Grumbullimi

Sipas programit të dhënë ditë më parë, sot pritet që skuadra e Skënderbeut të grumbullohet për të vijuar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Skuadra ishte lënë pushim pas eliminimit nga pre-eliminatoret e Kupës së Kampioneve me Debreçenin dhe vetëm sot do të grumbullohet për të vijuar me seancat stërvitore. Por, ndryshimet në presidencë kanë ulur mjaft besueshmërinë jo vetëm të tifozëve, por edhe të vetë lojtarëve, një pjesë e të cilëve ose nuk do udhëtojnë sot fare drejt Korçës, ose do të shkojnë në klub veçse për të marrë gjërat e tyre personale. Të paktën kjo është klima sot për sot përreth kampionëve në fuqi, e treguar për mediat nga vetë lojtarët.


Allmuça

Igli Allmuça është një lojtar i Kukësit. Nga dita e djeshme ai është pjesë e verilindorëve, duke firmosur një kontratë sezonale nga e cila do përfitojë rreth 4.5 milionë lekë. Ndërkohë mësohet se lojtarit i janë dhënë në formë parapagimi 2 milionë lekë, shifër kjo që e ka “detyruar” në një farë mënyre Allmuçën që të mos e refuzojë këtë ofertë. Por, drejtuesit e Kukësit nuk do të ndalen këtu dhe sot pritet që të zyrtarizohet edhe afrimi i Daniel Xhafajt. Zv.presidenti Flamur Hoxha i vlerësoi prurjet nga Korça si mjaft rezultative. Ndërkohë, presidenti Safet Gjici dhe drejtori teknik Sulejman Starova, janë shprehur entuziastë për mbërritjen e Allmuçës.