Në ditën e tretë të aksionit për kontrollin e pikave të karburantit, bashkia e Tiranës është fokusuar tek pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm, kryesisht në lagje dhe pranë pallateve.


Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore bllokuan sot pika shitje të gazit në rrugën Myslym Shyri, pranë zonës së njohur si 9-katëshet, në rrugën Him Kolli dhe në rrugën Hoxha Tahsim, të cilat e ushtronin aktivitetin e tyre pa licencë, duke iu shmangur detyrimeve ndaj qytetit. Nga kontrolli i kryer në 14 subjekte, 9 prej tyre kanë rezultuar me probleme dhe është bërë bllokimi i aktivitetit.


Në tre ditët e para të aksionit, 24 biznese që merren me tregtimin e karburantit dhe gazit janë paraqitur pranë Bashkisë së Tiranës për tu pajisur me licencë, kanë plotësuar dokumentacionin, si dhe kanë kryer pagesat përkatëse. Me tu pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi kanë shlyer detyrimet e taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore, ditën e sotme ka nisur zhbllokimi i disa pikave të tregtimit të karburanteve.


Prej tri ditësh Bashkia e Tiranës po ushtron kontrolle në të gjithë territorin e Tiranës për bllokimin e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin


12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)