Në prefekturën e Korçës është mbledhur shtabi i emergjencës për të caktuar masat që duhen marrë për përballimin e dimrit. Temë e diskutimit ka qenë veçanërisht siguria në rrugë. Mbërritja e reshjeve të para të borës dhe ulja e temperaturave kanë detyruar prefekturen e Korçës që të mbledhë shtabin e emergjencës për t'i paraprirë situatave të vështira. Furnizimi me ilaçe në zonat e thella, mbajtja në funksionim e rrugëve kanë qenë temat kryesore të diskutuara. "Për të parandaluar situatat e emergjencës duhet të merren masa që firmat konkrete që kane marrë të drejtën të bëjnë punën në këto akse të shmangin situatën e vështirë", u shpreh Elfrida Zefi, prefekte e Korçës. Rruga më e vështirë që paraqitet në këtë prefekturë është ajo nga plloca deri në qytet e cila është në ndertim e siper. Kjo rrugë ka shfaqur vështirësi shume të mëdha edhe gjatë stinës së verës ndërsa gjatë dimrit ekziston rreziku aksidenteve për shkak të borës dhe ngricës që gjatë ditëve të dimrit në këtë zonë janë mëse të zakonshme.