Koreja e Veriut ka përshëndetur të birin e Kim Jong il, Kim Jong un si liderin suprem të partisë, shtetit dhe ushtrisë.



Kim doli në qendër të podiumit në një shërbim përkujtimor në sheshin kryesor të Penianit, një ditë pas funeralit të të atit, që u shoqërua me vajtime masive të popullsisë.

Kim Yong nam, që është lideri numër dy i vendit, tha parra një milion personave të mbledhur se hidhërimi i tyre duhet të kthehet në forcë, “1 mijë herë më i fortë nën drejtimin e shokut Kim Jong un”.

Televizioni shtetëror koreano-verior transmetoi pamjet e Kim Jong un të rrethuar nga zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë.

Shërbimi përkujtimor ishte më tepër një dorëzim pushtetesh në dinastinë Kim, deklaron korrespondentja e BBC, Lucy Williamson në Korenë Jugore fqinje. Tre minuta heshtje u mbajtën pasi cdo tren dhe anije në mbarë vendin i ranë sirenave, duke shënuar fundin e zisë.

Kim Jong il vdiq për shkak të një ataku në zemër më 17 dhjetor, në moshën 69-vjecare. Ai ka qeverisur Korenë e Veriut që prej vdekjes së babait të tij Kim Il sung në vitin 1994.

“Shoku Kim Jong un është lideri suprem i partisë, ushtrisë dhe vendit tonë, që trashëgon ideologjinë, lidershipin, karakterin, virtytet dhe kurajën e shokut të madh Kim Jong il”, tha Kim Yong nam para turmës së mbledhur në sheshin Kim Il sung.

“Fakti që ai zgjidhi tërësisht cështjen e trashëgimit të pushtetit përbën një arritje të madhe për të”, ka shtuar numri dy i regjimit të Penianit.