Korea e Jugut paralajmëroi se do t’i përgjigjet në mënyrë të ashpër çdo provokimi që do të vijë nga fqinjët veriorë, pasi Peniani kërcënoi me anullimin e armëpushimit që përfundoi luftën koreane në vitin 1953.



Shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali Kim Yong-hyun, premtoi “një përgjigje të vendosur”, nëse jetët e koreanojugorëve do të kërcënohen.

Ditën e martë, Korea e Veriut tha se do të anullojë armëpushimin në datën 11 mars, si kundërpërgjigje e sanksioneve ekonomike dhe politike të vendosura nga OKB, pas testimit të paautorizuar bërthamor të muajit shkurt dhe lëshimit të një sateliti nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi në dhjetor 2012.

Të dy shtetet mbeten teknikisht në luftë, pasi nuk kanë firmosur një paqe midis tyre.

”Nëse Korea e Veriut do të realizojë veprime që do të kërcënojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë, ushtria do koreanojugore do të përgjigjet në mënyrë të ashpër dhe të vendosur ndaj çdo provokimi apo akti agresioni”, tha Yong-hyun.