Sikurse kishte njoftuar, Koreja e Veriut ka nisur këtë të martë një stërvitje ushtarake pranë kufirit të diskutueshëm detar me Korenë e Jugut. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut.


Kjo është hera e parë brenda një muaji, që Peniani kryen ushtrime të tilla. Por sipas Ministrisë së Mbrotjes, qeveria koreano-jugore, nuk ishte njoftuar se këto ushtrime do të kryeheshin pranë dy ishujve në perëndim të Gadishullit Korean, duke theksuar se në fakt  ushtria e Koresë së Veriut ka qënë e parapërgatitur për këtë stërvitje.


Një stërvitje e ngjashme ushtarake në fund të marsit, solli shkëmbim zjarri mes dy vendeve përgjatë kufirit të shumëdiskutuar detar. Rajoni në fjalë ka qënë përherë një vatër e nxehtë përplasjesh mes dy vendeve fqinje. Kombet e Bashkuara e përvijuan kufirin perëndimor pas luftës mes dy Koreve, por vendi komunist nuk e ka njohur kurrë.


Në fundin e 2010-tës, katër koreano-jugore u vranë në një ishull kufitar nga zjarri i artilerisë së Penianit. Shkëmbime të shtënash pati shkurtimisht edhe gushtin e 2011-tës, ndërsa në fillim të këtij viti, një anije koreano-jugore, e goditur me silurë nga forcat e veriut, u mbyt duke marre jetët e 46 marinarëve.


Kjo lëvizje e fundit e Koresë së Veriut vjen në një kohë kur imazhet satelitore tregojnë, se ndoshta Peniani zyrtar mund të jetë duke përgatitur një test bërthamor, ndërsa Uashingtoni i bëri thirrje Penianit të heqë dorë nga programi për armët bërthamore.