Koreja e Veriut kërkon të bisedojë me SHBA-të, por vetëm në kushte dhe rrethana të duhura. Kështu është shprehur Choe Son-hui, drejtori i përgjithshëm i zyrës mbi marrëdhëniet me SHBA-të, i ministrisë së Jashtme të Phenianit.


Diplomatja, sipas agjencisë Yonhap, ka drejtuar delegacionin që ka takuar së fundmi në Oslo një grup ekspertësh amerikanë me Suzanne Di Maggio, drejtuese e think-tank New America.


Di Maggio njihet si specialiste në çështjet iraniane dhe aktive në negociatat e administratës Obama me Teheranin.


Thomas Pickering, ish-ambasador amerikan në OKB dhe Robert Einhorn, specialist i fushës në Departamentin e Shtetit për kontrollin e armëve, kanë qenë pjesë e grupit të ekspertëve në Norvegji.


Sipas vëzhguesve, duke parë dhe momentin delikat pas përplasjeve të ashpra Phenian-Uashington mbi raketat balistike dhe armët bërthamore të Veriut, takimi në Norvegji mund të jetë rasti ideal i një kontakti të parë.


13 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)