Koreja e Veriut ka thënë se ka lëshuar një raketë, e cila ka vendosur satelitin në orbitë.

Komanda e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Hapësirës Ajrore ka thënë se sistemet amerikane kanë detektuar se Koreja Veriore ka lansuar një objekt në orbitën e Tokës.

Lëshimi i raketës është dënuar menjëherë nga fqinjët e Veriut, Koreja e Jugut dhe Japonia, ashtu si edhe nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Koreja e Veriut ka bërë një provë të dështuar raketore në muajin prill. Ajo thotë se ka të drejtë të lëshojë satelitë dhe, sipas saj, lansimi i së mërkurës ka vënë në orbitë një satelit të motit.

Raketa është lëshuar rreth orës 01:50, ndërsa lexuesja e lajmeve në televizionin shtetëror ka bërë njoftimin pak minuta më vonë.

“Versioni i dytë i satelitit Kwangmyongsong-3 është lëshuar me sukses nga Qendra Sohae e Hapësirës, në provincën e Phenianit Verior. Sateliti ka hyrë në hapësirë”, ka konfirmuar folësja e lajmeve.

Koreja e Jugut ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të saj për Siguri Kombëtare.

Japonia ka thënë se raketa ka fluturuar mbi Okinavën dhe lëshimin e saj e ka cilësuar si “të patolerueshëm”.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar po ashtu lansimin e raketës duke e quajtur “akt provokues”, i cili “dëmton sigurinë rajonale dhe shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka thënë se lëshimi i raketës është “shkelje e qartë” e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të cilat i bëjnë thirrje Koresë së Veriut të mos kryejë asnjë provë, e cila përdor teknologjinë e raketave balistike.

Ministria e Jashtme ruse, përmes një deklarate për media, ka shprehur “keqardhje të thellë”.