Një lëvizje separatiste po

përvijohet te fqinjët tanë

jugorë. 150 vjet pas bashkimit

me Greqinë, ishulli i Korfuzit

ka artikuluar kërkesën për autonomi

dhe shkëputje prej trungut

të shtetit helen. Apelet e padëgjuara

ndonjëherë për autonomi nga

Athina janë bërë nga popullsia

ishullore. Burime të "Tele Jonit" në

ishullin fqinj thonë se për këtë po

merren nisma elektorale, duke përgatitur

një referendum për këtë

çështje, e nëse do të jetë e

nevojshme, do të kërkohet edhe

ndihma e BE-së.

Rreth 150 vjet pasi u bashkua

me Greqinë, Korfuzi sot ka mbërritur

në kërkesën për ndarjen nga

Greqia. Kjo është tema më e nxehtë

e këtyre ditëve në mediat lokale

dhe ato qendrore greke. Duket se

nuk ka më ndonjë sekret, pasi

shqetësimi vjen nëpërmjet disa

apeleve të padëgjuara ndonjëherë

për autonomi nga Athina, që ka

bërë popullsia ishullore e perlës së

Jonit.

Divergjenca është "kaq e madhe"

sa komuniteti, disa politikanë

dhe disa prej biznesmenëve kryesorë

të këtij ishulli, të lënë sipas tyre

si "zorra qorre" e Greqisë, kanë arritur

në ndërmarrje masash ekstreme

kundër "praktikave të

shëmtuara të politikanëve të

Athinës". Të pakënaqurit, të

mbledhur në qytetin antik ishullor,

këtë javë kanë premtuar se do të

kandidojnë në zgjedhjet vendore

pas dy vitesh, duke mbajtur një referendum

për autonomi dhe nëse

do të jetë e nevojshme, do t‘i drejtohen

për ndihmë edhe BE-së.

Thelbi i kërkesës së atyre që

tashmë përbëjnë një komunitet në

Korfuz, qëndron në argumentin se

biznesmenët e ishullit kanë furnizuar

me miliarda euro ekonominë

greke nëpërmjet taksave, ndërkohë

që ata vetë kanë marrë shumë

pak si shpërblim.

"Pata e artë"

Prej disa ditësh në Korfuz

qarkullon ajo që grupi më i zjarrtë i

atyre që ngulmojnë në kërkesën e

autonomisë ka formuluar duke e

quajtur Korfuzin "Pata e vezëve të

arta" për Greqinë. Sipas tyre, kjo

"patë" ka prodhuar rreth 20 për

qind të të ardhurave të qeverisë

qendrore. Ndërkohë që ata vërejnë

se qeveria "Karamanlis" "merr

vezët e arta dhe nuk e ushqen

patën".

Në krye të banorëve që i

mëshojnë idesë së autonomisë,

është vënë një biznesmen që quhet

Haris Cukalas, i cili është

njëherësh edhe paraqitës programesh

në kanalin vendas

televiziv "Corfu Channel". Ai është

identifikuar si më opozitari me

kursin qeveritar dhe me ata që

qeverisin ishullin. Cukalas ka qenë

shumë denoncues në pohimet e tij

të këtyre ditëve. "Në vend të financimit

të punëve publike të

nevojshme, ka pohuar ai, fondet e

KE-së janë përdorur për të mbushur

xhepat e politikanëve lakmitarë".

Është e dukshme se njerëzit

kanë arritur në pikën që të thonë

"mjaft më", thonë më të zhgënjyerit

dhe më të irrituarit me kursin

qeveritar në ishullin e Korfuzit. Ata

janë shprehur në mediat lokale e

deri në ekranin e TV kombëtar

ANT1, për gazetarin titullar të këtij

kanali, Jorgos Papadhaqis, se nuk

kemi frikë t‘i themi gjërat siç janë.

Me kërkesën për shkëputje dhe

autonomi nga trungu i shtetit

helen, Korfuzi të kujton shtetin e

San Marinos brenda Italisë.

Ndoshta kjo paralele është më e

gjetura, duke ditur se në pikëpamje

gjeografike, por edhe në mentalitet,

ai është më pranë se çdo territor

tjetër me Italinë.

Bashkimi, dita më e zezë në histori…

Historia e bashkimit të tij me

Greqinë është vetëm 144 vjet larg

2008-ës. Ky bashkim ndodhi nga

britanikët më 1864-ën. Vendasit

dinë se bashkimi u shoqërua me

festime të mëdha në Korfuz dhe në

Athinë. Ndërsa sot bashkimi me

Greqinë është quajtur si "dita më e

errët në historinë tonë", nga grupe

që çdo ditë e më fuqishëm e artikulojnë

autonominë e humbur.

Kjo, sepse duket që euforia

gradualisht është kthyer në

zemërim. Zemërimi i atyre që

rrugëdalje shohin autonominë nga

Greqia, lidhet me shpërbërjen e

institucioneve të ish-protektoratit

britanik në Korfuz. Këtu ata përfshijnë

edhe pushimin e funksionimit

të Akademisë së famshme Joniane.

"Kemi një ndjesi që Republika

helenike na ka lënë tërësisht të

paralizuar", është shprehur dr.

Spiros Jurgas. Sipas tij, është e papranueshme

që në një ishull me

gati 150 mijë banorë, ku përfshihen

edhe 12 mijë rezidentë britanikë,

të zgjasë me vite ndërtimi i një spitali

të ri, i cili ende nuk ka përfunduar.

"Kjo të shkakton keqardhje të

thellë", është shprehur ai.

Debatet politike

Njerëzit në kafene dëgjojnë të

flitet për autonomi, për njerëz që

duan të ngrenë flamurin e Republikës

së Korfuzit. Kjo ndodh 144 vjet

pas shkëputjes nga Perandoria

Otomane, së cilës Korfuzi dhe pjesa

tjetër e ishujve përrallorë jonianë

iu shkëputën, duke qenë ende nën

sundimin venecian. Këto referenca

që po bëhen rëndom gjatë këtyre

ditëve ndaj historisë së Korfuzit,

janë çështje që prekin elemente të

identitetit të banorëve, që është një

nga pikat e ndjeshme të tyre.

Por nuk mungon edhe qëndrimi

kundër, sikurse ka qenë ai i deputetit

të Korfuzit të Nea

Dhimokratia, Nikos Dendjas, i cili

i pyetur për lëvizjen që priret nga

ideja e autonomisë, është shprehur

se "çdo bisedë mbi autonominë në

fakt nuk ka sens".

Nga ana tjetër, iniciatorët argumentojnë

se i gjithë zemërimi i

banorëve është përcjellës i dëshpërimit

në rritje me partitë e

mëdha. Ata thonë se ai reflekton

zemërimin rajonal në rritje mbi një

qeverisje mjaft të centralizuar në

Athinë dhe ndaj mënyrës se si ajo i

menaxhon politikat e saj për territoret

e ishujve në tërësi.

Pakënaqësitë në Korfuz kanë

prekur kulmin në fillimin e vitit

2008, kur u arrit deri në përleshje

të përgjakshme, të lidhura me

vendgrumbullimin e plehrave në

ishull. Kronikat e atëhershme përcollën

ndodhinë e një nëne të re

me fëmijë, që u godit nga policia, e

vënë nga qeveria greke për të shtypur

atë protestë të mijëra banorëve.

"Mënyra se si u shtyp ajo

protestë dhe shpërfillja e qeverisë

greke ndaj Korfuzit, u duk qartazi

në rastin e problemit të mbetjeve

urbane", thotë prezantuesi i disa

emisioneve në "Corfu Channel",

Haris Cukalas.





Ishulli më kozmopolitan i detit Jon



Perla turistike e Mesdheut ofron gjithçka, përfshirë edhe copëza të kulturës shqiptare



Ishulli i Korfuzit shënon kufirin

mes Perëndimit e Lindjes dhe

ka një histori jashtëzakonisht

të pasur. Ai ndodhet fare pranë

Italisë dhe vetëm 17 milje detare

larg brigjeve të Shqipërisë. Është

një ishull me histori madhështore,

tepër të pasur në ngjarje të

lavdishme e të dhimbshme. Ai në

shekuj ka përballuar pushtime

nga vandalët e gotët, romakët e

normanët, francezët e anglezët.

Ky ishull shihet si një prej destinacioneve

kryesore turistike

greke, perla turistike e Mesdheut,

ku zhvillohet shumë industria e

turizmit.

Në muajt e verës nuk është e lehtë

të udhëtosh nëpër rrugët e Korfuzit.

Janë me mijëra e mijëra vizitorë

dhe automjete që e bëjnë të

vështirë udhëtimin me makinë.

Gjatë muajve të verës gati është "e

ndaluar" që vendasit të ikin me

leje e këtij "ligji" i nënshtrohen

edhe pesë mijë shqiptarët që kanë

emigruar e punojnë atje. Sezoni i

mban ata në këmbë e në punë nga

12 deri në 20 orë. Janë të shumtë

emigrantët shqiptarë, por edhe

nga vende të tjera të Evropës Lindore,

të cilët punojnë në taverna,

markete e supermarkete, diskoteka

etj. Tipike janë lokalet ku

serviret kuzhinë që korrespondon

me "gjeografinë" e turistëve

zotërues. Sa për muzikën që luhet

në to, ajo është me repertor të

përzier këngësh e vallesh të ishullit,

të historisë kozmopolite të tij e

deri te meloditë shqiptare, që nuk

janë aspak të huaja. Ky "aliazh"

muzikor përcjell te flukset e turistëve

të çdo vere pjesë të kulturës

dhe traditave, që ruhen brez pas

brezi deri në ditët e sotme.

Teorikisht thuhet se Korfuzi

gjendet 17 milje detare larg Sarandës,

por se sa e pasaktë është

kjo e dhënë e guidave turistike,

bindesh kur brigjet e fshatrave të

tij i sheh nga Ksamili, sidomos nga

plazhi i njohur i Pemës së Thatë.

Që andej çatitë e shtëpive ditën,

apo dritat vezulluese gjatë natës,

thua se i ke prekur sa ke zgjatur

dorën në drejtim të tyre. Ndaj po

të gjendesh në brigjet matanë, tingujt

e diskotekave të Sarandës e të

Ksamilit, bëhen pjesë e jetës së

natës së ishullit fqinj. Muzika shqiptare

nuk e ka fare vështirë të

kaptojë e të bëhet pjesë e magjisë

së mbrëmjeve ishullore të Korfuzit.

Korfuzi, ishulli i 108 mijë banorëve,

është gjithnjë tërheqës me

të papriturat që të bëjnë edhe më

tepër kureshtar. Natyra e bukur

shoqërohet me një sjellje të bukur

karshi pasurive, si brenda në

qytet, edhe në stacione të tilla fshatrash

si Perama, Moraitika,

Bukali dhe deri në Lefkimi. Paleokastrica,

Sidari, që gjenden në

pjesën perëndimore të ishullit,

shpalosin një bukuri tjetër. Natyrë

shkëmbore që latohet nga valët,

apo rrihet nga dallgët, rrugë të

ngushta makine, ku mezi

manovrohet, vila dhe hotele në

pllajën e lartësive të Korfuzit. Një

peizazh që nuk haset në pjesët e

tjera të ishullit.

Brenda ditës, në ishullin që

ndodhet larg metropolit grek,

Athinës, në dyfishin e largësisë që

ka Saranda nga Tirana, shkojnë

gazetat e ditës, nga nuk bëjnë përjashtim

as ato në gjuhën shqipe,

që botojnë komunitetet e emigrantëve:

"Gazeta e Athinës" e

"Tribuna", apo edhe revista letraro-

kulturore "Pegasi". Veçse ato

mund t‘i gjesh vetëm në qytet dhe

jo në periferitë, sado të afërta me

të.

Ata që e preferojnë më shumë

ishullin e kryqëzimit të kulturave

të ndryshme të ndërtimit dhe të

jetesës e deri të kulinarisë, janë

turistët e ardhur nga Italia, Gjermania

dhe Anglia. Tërheqëse për

ata dhe këdo janë rrugët e ngushta

që lidhin pjesë të ndryshme të

qytetit, Kalaja e Vjetër dhe e Re,

lëvizja nëpër sokakët e gurta, që

gjarpërojnë mes ndërtesave të vjetra

me arkitekturë shekullore. Në

Korfuz rruga të çon dhe pranë një

shtëpie të vjetër, të restauruar.

Themelet e saj i lagin ujërat e Jonit

dhe vendi ku ngrihet kjo shtëpi,

është vetë një ishull i vogël, me një

emër të çuditshëm, që quhet

Ishulli i Miut, për shkak të ngjashmërisë

së atij bishti toke me një

bisht miu. Nuk kanë të numëruar

mijërat e turistëve që tërheq kjo

shtëpi e ishullit me emrin Korfuz.

Siti arkeologjik, që prej kohësh

është marrë në mbrojtjen e

UNESCO-s, është konstatuar se

po kalbet përballë indiferencës

zyrtare. Banorët me ndjeshmëri

më të lartë për vlerat e qytetit nuk

ia falin vetes dhe qeveritarëve

bjerrjen e vlerave autentike që

gjenden në të. Dikur zemra e ishullit

u bë burim frymëzimi për piktorë

si Eduard Lir, ndërsa kujdesi

dhe investimi për këto vlera të

rralla është parë të bjerë këto vitet

e fundit. Vendasit thonë se edhe

rrjeti rrugor i ngritur nga britanikët

është mbushur me gropa, të

cilat janë quajtur kurthe për turistët

dhe shkak i rënies së numrit

të tyre me 10 për qind këtë sezon

që është duke u mbyllur.