Lufta kundër korrupsionit vijon të mbetet prioritet i qeverisë shqiptare edhe në mandatin e dytë të saj, ndërsa Bashkimi Europian gjithmonë ka treguar mbështetje për këtë betejë.


Këtë mbështetje e ka shprehur sërish sot ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë.


Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.  Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.  Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë, u shpreh Soreca.


Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet politik, pasi deri më tani si fenomen me ndikimin në administratë, ka bërë që kostoja për shoqërinë të jetë e madhe.


Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte. Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE.  Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.  Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE, theksoi ai.


Në aktivitet, krahas ambasadorit të BE-së ishte edhe kreu i ILDKPKI-së.