Universiteti Bujqësor i Tiranës ka hedhur në faqen tij zyrtare sait-in për pedagogët që japin mësim në këtë institucion të arsimit të lartë. Kjo është bërë e mundur, pas kërkesës që kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, u bëri të gjithë drejtuesve të universiteteve publike, që të përmirësonin në mënyrë të menjëhershme procesin e zhvillimit të provimeve si dhe të siguronin transparencë të plotë të tyre. Ishte pikërisht arrestimi i dy pedagogëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, të cilët u akuzuan për korrupsion me studentët, duke u kërkuar atyre lekë dorazi për t’u dhënë provimet, çështja që solli këto masa të reja. Tashmë, të gjithë studentët e Universitetit Bujqësor, duke klikuar në faqen e tij zyrtare www.ubt.edu.al, do të gjejnë sait-in e pedagogëve, në të cilin janë hapur web-sait-et e tyre personale. Për këtë, studentët, duhet të kërkojnë në listën e pedagogëve të universitetit, emrin e lëndës ose pedagogut dhe të hyjnë menjëherë në web site-in e tyre personal, për të marrë informacionet e nevojshme për procesin mësimor dhe rezultatet e provimeve. Po kështu, të njëjtën procedurë mund të ndjekin edhe vetë pedagogët, për t’u lidhur me web site-in personal. Në këto web-saite, pedagogët janë të detyruar të publikojnë së pari notat e provimeve përkatëse si dhe informacione të tjera që janë të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, duke filluar që nga detyrat e kursit e deri tek njoftimet për çështje të ndryshme. Arrestimi i pedagogëve të Bujqësorit për korrupsion u bë në fillim të muajit shkurt, pikërisht në kohën kur studentët ishin në kulmin e sezonit të parë të provimeve.



Festivali i Vilenicas

Universiteti i Tiranës shpall bursat për shkrimtarët e rinj



Universiteti i Tiranës shpall bursat për shkrimtarët e rinj, nën 35 vjeç. Këto bursa do të jepen nga Iniciativa Europiane Qendrore (CEI) në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Slloven, brenda Festivalit Ndërkombëtar Letrar të Vilenicas. Bursa ka si qëllim inkurajimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe promocionit në fushën e Letërsisë për shkrimtarët e rinj. Bursa përmban një çmim kesh prej 5000 euro, për një qëndrim tremujor në secilin nga vendet e CEI. Në këtë aplikim përcaktohet se personat që kanë të drejtë të marrin bursën janë shkrimtarët e të gjitha zhanreve nën 35 vjeç, nga vendet anëtare të CEI-së, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian, ku përfshihet edhe Shqipëria. Afati i fundit i aplikimit është data 1 qershor, dhe duhet të dërgohet përpara kësaj date në adresën: Slovene Writers` Association (Writer in Residence), Tomisiceva 12, SI-1000 Ljubjana, Slovenia. Aplikimi duhet të përmbajë: një formë regjistrimi, që ndodhet në këtë aplikim; një biografi në Anglisht (maksimumi 1800 karaktere pa hapësira boshe); kopje të kartës së identitetit apo pasaportës që është ende në fuqi dhe ku duket data dhe vendi i lindjes dhe nënshtetësia; një bibliografi në Anglisht (maksimumi 3600 karaktere pa hapësira boshe); një përshkrim të shkurtër në Anglisht të projektit që do të ndërmerret gjatë qëndrimit tremujor dhe nëse është e mundur një adresë kontakti në vendin pritës (maksimumi 4500 karaktere pa hapësira boshe); një letër rekomandimi në Anglisht (maksimumi 1800 karaktere pa hapësira boshe).









19 Mars 2010