kosova1"Ju e keni parë që të qenit kryetar partie dhe kryetar bashkie është e pamundur, sepse përveçse t'u përgjigjesh qytetarëve të Tiranës, duhet të kujdesesh dhe për ata nëpër të gjitha rrethet".

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova po thekson gjithnjë e më shumë në takimet që ai po zhvillon se nuk e kërkon bashkinë për të bërë politikë, por për t'u fokusuar tek interesat e qytetarëve. Ai u takua dje me banorë të zonës së Sharrës, ku u angazhua për të shërbyer e gjetur zgjidhje.

"Është bërë shumë keq kjo puna ujit, rrinë gratë në radhë me 50 bidonë dhe në fund i sjellin bosh. Ka shkuar deri aty sa zihem dhe me vëllain për ujë, prandaj pyes se ça do na bësh ti?", - pyeti një banor i Sharrës. "Unë do të bëj që të rrish për qafe, nga mëngjesi në darkë me vëllain, e jo të zihesh.

Unë nuk është se kam të drejtë të urdhëroj njeri, por në fund të fundit kam dalë për një punë dhe kur shoh se diçka nuk funksionon, mund të vë në lëvizje dikë që ta zgjidhë edhe tani pa u bërë kryetar bashkie", - tha Kosova. Kandidati i opozitës premtoi se me atë kryetar bashkie, gjërat në Tiranë do të ndryshojnë shumë shpejt.

"Në qoftë se unë them, 'ju 1 milionë qytetarët e Tiranës e keni derën hapur' kjo është një rrenë të cilën s'duhet ta besoni, por nëse administratorët e zonave nuk do të jenë të aftë të mbarojnë punë, do jenë të korruptuar e do vënë kushte për përmbushjen e një detyre, të jeni të bindur se do ta marr vesh më shpejt se ju që do e keni në kurriz. Nëse ti jep frymën e mospajtimit me abuzimin gjërat do ndryshojnë shumë shpejt",- tha Kosova.

Më tej kandidati i opozitës përcolli edhe sinjale distancimi nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha teksa u shpreh se ndryshe nga paraardhësit, impenjimi i tij i vetëm do të jenë vetëm qytetarët. "Ju e keni parë që të qenit kryetar partie dhe kryetar bashkie është e pamundur, sepse përveçse t'u përgjigjesh qytetarëve të Tiranës, duhet të kujdesesh dhe për ata nëpër të gjitha rrethet.

Rrethanat kanë qenë të tilla që kryetarët e bashkive u vunë në të tilla kushte, ndërsa unë s'do të kem asnjë impenjim tjetër përveç se t'ju shërbejë juve, sepse nuk është hera e parë që më propozohet Bashkia, por herë të tjera s'jam ndjerë gati ta marr përsipër një detyrë të tillë.

Parimi është ky: kurrë një njeri s'mund të drejtojë 3 mln qytetarë kur në jetën e tij s'është marrë vesh në shtëpi me tre apo katër vetë. Ky është parimi im, rregullo punët në familje, mbaro të gjitha detyrimet e pastaj dil në rrugë me ju shërby qytetarëve, ndryshe s'ke dale për punë", - tha Halim Kosova.