Në Tiranë është mbajtur takimi i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit të Europës Juglindore(SEECP). Parlamenti i Kosovës është përfaqësuar nga deputetët Blerta Deliu - Kodra dhe Armend Zemaj.




Takimi në Tiranë është përshëndetur nga Ilir Meta Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë e cila është kryesuese e SEECP’së.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Deputeti shqiptar Taulant Balla ka thënë se në tryezën e Asamblesë Parlamentare të SEECP Kosova është përfaqësuar e barabarte me 11 vendet e tjera te rajonit.




“Kjo është një arritje, e cila duhet të na motivojë më shumë. Sigurisht që marrëveshja historike Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e BE’së ka garantuar përfaqësimin e Kosovës në te gjitha iniciativat rajonale dhe ky moment duhet shfrytëzuar nga institucionet e Kosovës. Si deputet i Kuvendit te Shqipërisë i nxis partitë politike në Kosovë që t'i japin një zgjidhje sa më të shpejtë krizës politike, me qëllim shmangien e vonesave në përfaqësimin e Kosovës në iniciativat parlamentare dhe jo vetëm. Ne do bëjmë gjithçka që Kosova të jetë kudo anëtare me të drejta te plota” ka thënë Balla.




Ndërsa deputetja Blerta Deliu –Kodra ka thënë se takimi përbën një kapitull të ri në ndërtimin e fqinjësisë së mirë.




“Takimi i sotëm në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit politik të rajonit shënon një kapitull të ri për Kosovën, në ndërtimin e një fqinjësie të mirë, dhe në rritje të bashkëpunimit rajonal” ka theksuar ajo.




Kosova ishte bërë anëtare e SEECP në Samitin e Bukureshtit ku kishte marrë pjesë Presidentja Jahjaga edhe pse Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Përfaqësimi i Kosovës në iniciativa rajonale është bërë i mundur pas marrëveshjes Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit. Pavarësisht kësaj Serbia kohë pas kohe bojkoton takimet për shkak të pranisë së përfaqësuesve të Kosovës edhe pse takimet zakonisht janë në formatin Gymnich ku nuk ka simbole shtetërore.