Nju Jork-Gjatë ditës së sotme, Kosova pritet të bëhet pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Me këtë vendim, shteti i ri pritet të bëhet pjesë e një prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, siç është FMN-ja. Fondet e të cilës, ndihmojnë vendet e varfra, kundrejt dhënies së kredive nga ky institucion financiar. “Unë jam shumë optimist që nesër kjo do të ndodhë deri në ora 5 të pasdites sipas kohës amerikane, kur do të përfundojë procesi i votimit. Jam i sigurt që Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në bazë të informacioneve që kam është arritur kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar”-deklaroi një ditë më parë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.



Për sa i përket anëtarësimit në Bankën Botërore, Rexhepi ka theksuar se procesi i votimit në Bankën Botërore përfundon në mes të muajit qershor.



Rexhepi ka theksuar se, njëkohësisht, diku në mesin e muajit maj do të jetë konferenca vjetore e Bankës për Zhvillim dhe Rindërtim, ku Kosova ka shfaqur interesim për t’u anëtarësuar. "Shpresojmë që edhe në këtë drejtim do të bëhen hapat e nevojshëm që të rregullohet anëtarësimi i vendit tonë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim", tha Rexhepi. /telegrafi/start