Ne në shumë aspekte kemi interesa të mëdha për atë që ka ndodhur në 20 vitet e fundit në Ballkan dhe atë që iu ka ndodhur myslimanëve në Bosnjë, Shqipëri, Kosovë dhe në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë.


Unë kam planifikuar para shumë kohësh që të vij në Kosovë** pas vitit 1999, por tani pata rastin të vij dhe jam shumë i kënaqur që më është bërë kjo ftesë, sepse unë mendoj që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë shumë zhvillime vijnë nga ky rajon.


Ballkani për 300 vjet ka qenë përplot probleme për shkak të etnicitetit dhe nacionalizmit. Tani përmes demokracisë dhe lirisë, ne myslimanët kemi shpresë që të jemi në paqe me veten dhe botën. Për mua shembulli i Kosovës është shumë i mirë për zgjidhjen e problemeve që kemi në Palestinë.


Po sa dinë njerëzit në botën arabe për situatën në Kosovë? Në fakt, ata nuk dinë shumë, madje as ekspertët dhe njerëzit e arsimuar nuk dinë shumë. Ata kanë dëgjuar për herë të parë për Kosovën kur ndodhi lufta më 1999, mirëpo në 5-6 vjetët e fundit, Kosova është bërë më e njohur, sidomos pas shpalljes së pavarësisë para disa muajsh.


Ne po përpiqemi që t'i qartësojmë problemet e myslimanëve të Evropës dhe të Ballkanit në botën arabe. Ne si elitë jemi të vetëdijshëm për të ardhmen e popullatës sonë. Ndiejmë obligim që të vetëdijësojmë shtetet arabe që të merren me problemet në këtë rajon në mënyrën më të mirë.


Ne tani kemi dy detyra: një është që të vetëdijësohemi për fenomenin e myslimanëve të Evropës dhe e dyta është që të tregojmë solidaritet me ata njerëz. Si grup i vogël, ne tani kemi mundësi që të njihemi më shumë me Kosovën dhe të kthehemi në vendet tona e të kontribuojmë për këtë vend, siç kemi bërë vitin e kaluar kur profesori Muhamet Arnaut ka shkruar në gazeta dhe ka botuar libra për shqiptarët, Kosovën si dhe për Bosnjën, duke na vetëdijësuar neve për këto probleme.


Pyetja që shumë europianë dhe sigurisht shqiptarët, bëjnë sot është pse pavarësia e Kosovës është njohur vetëm nga gjashtë shtete anëtare të Konferencës Islamike; pse nuk ka njohje më të madhe të Kosovës nga bota arabe; dhe mos qëndrojnë arsyet tek lidhjet e forta të shqiptarëve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se shumica prej tyre janë myslimanë?


Unë mendoj që, jo! Kjo nuk ka të bëjë asgjë me këtë. Disa njerëz hezitojnë sepse kanë raporte të mira me Serbinë ose me Rusinë, ndërsa disa arabë mendojnë për pakicat e tyre, sepse ne kemi kurdët dhe berberët, në vendet arabe ka myslimanë dhe të krishterë.


Ka shumë probleme dhe shumica e minoriteteve që kemi ne flasim për krijimin e shteteve të reja. Shtetet arabe kanë frikë se problemet tona etnike do të bëhen më të mëdha si rezultat i zhvillimeve në Ballkan dhe në Kosovë.


Pra ka dy elemente në këtë mes: elementi i parë është se 4-5 shtete arabe kanë bashkëpunim të mirë me Serbinë dhe me Rusinë, ndërsa disa shtete arabe kanë pakicat e tyre dhe i frikësohen ndarjes së vendit.


Çfarë duhet të bëjnë kosovarët që ta ndryshojmë këtë përshtypje të krijuar për Kosovën?


Kjo është detyra jonë. Ne elita arabe, profesorë dhe intelektualë të tjerë kemi për detyrë të bëjmë një propagandë të madhe për të fituar mbështetjen e opinionin publik dhe të ndikojmë në vendimet që do të marrin shtetet arabe dhe ne po e bëjmë këtë.


Unë jam i bindur që për një kohë të shkurtër, për një vit ose dy vite, ne do të shohim shumë shtete arabe që do të njohin pavarësinë e Kosovës


* Prof.Ridwan Al-Sayyid është ligjërues i studimeve islamike në Universitetin e Libanit në Bejrut dhe këshilltar i Kryeministrit libanez.


**Autori ndodhet aktualisht në Prishtinë ku po mbahet konferenca "Kosova dhe bota arabe" që synon përmirësimin e imazhit të Kosovës në shtetet arabe.


Intelektualët arabë që marrin pjesë në këtë konferencë i kanë thënë BBC-së se në botën arabe ka paragjykime për Kosovën dhe si rezultat i kësaj, ka hezitime për njohjen e pavarësisë së saj. (Gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, atë e kanë njohur vetëm 6 nga 57 shtetet anëtare të Konferencës Islamike, prej të cilave asnjë nga bota arabe).