PRISHTINE-Rekomandimi i Parlamentit Evropian, që Komisioni Evropian të nisë dialogun për liberalizim vizash edhe me Kosovën, duket se do të nisë së zbatuari këtë jave. Një delegacion ekspertësh të Komisionit Evropian do të takohen të mërkurën, për tre ditë radhazi në Prishtinë, me zyrtarë qeveritarë, me të cilët do te diskutojnë kriteret për liberalizim vizash. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, ka deklaruar, se takimi shënon edhe fillimin e dialogut për vizat. “Edhe pse takimi nuk quhet ende dialog për liberalizim vizash, të gjitha kriteret janë aty. Ne presim që Komisioni Evropian këtë takim e ka ruajtur me qëllim dhe besoj se do të vijë me risi. Agjenda është listuar pikërisht ashtu edhe siç është udhërrëfyesi”, tha Rexhepi. Komisioni Evropian nuk i ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash Kosovës, ndërsa pengesë kryesore fillimisht ka qenë statusi i pazgjidhur, e pastaj mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së. Për të mos mbetur jashtë këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar njëanshëm një udhërrëfyes, për të plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim vizash. Rexhepi thekson se në takimin e javës së ardhshme, ekspertët do të njihen me punën që ka bërë Kosova në përmbushjen e këtyre kritereve. (d.b/TVNews24/BalkanWeb)