Prishtinë, 2 shtator - Federata e Basketbollit të Serbisë po vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të këtij sporti, FIBA. Eroll Belegu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, thotë se në kongresin e FIBA-s, që do të mbahet më 5 dhe 6 shtator në Turqi, çështja e pranimit të basketbollit kosovar në FIBA nuk do të jetë në rend të ditës së këtij kongresi. Por, ai paralajmëron përpjekje të reja të kosovarëve në këtë drejtim, raporton Radio Evropa e Lirë.
çështja e pranimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të këtij sporti - FIBA, nuk do të jetë në rendin e ditës në kongresin, të cilin FIBA do ta mbajë më 5 dhe 6 shtator në Turqi.
Kështu thotë Eroll Belegu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës pas deklaratave të drejtuesve të Federatës së Basketbollit të Serbisë në disa nga mediat serbe, të cilët kanë shprehur frikën se federata kosovare, gjatë këtij kongresi mund të pranohet në FIBA.
Belegu shpreh mendimin se Federata e Basketbollit të Serbisë po përpiqet të aplikojë taktika të njëjta ashtu sikurse edhe politika e jashtme e Serbisë, për të bindur opinionin e vet se po bën një luftë të pakompromis për të bllokuar pranimin e basketbollit kosovar në mekanizmat botërorë të këtij sporti.
 “Nuk do të jemi në kongres, nuk do të jetë në rend dite çështja e Kosovës, prandaj nuk pres të dalë ndonjë mrekulli nga ky kongres, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë federatë ta parashtrojë këtë si pyetje apo që ta diskutojë”, thotë Belegu.
Më tutje ai shton se, ashtu sikurse deri më tash, pengesat kryesore për pranimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA vazhdojnë të jenë të natyrës politike.
Sipas Belegut, Federata serbe e Basketbollit, deri më tash ka bërë çmos që ta ushtrojë ndikimin e saj për të pamundësuar pranimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA.
“Federata e Basketbollit e Serbisë është federatë shumë e fuqishme. Në FIBA janë dhjetëra njerëz nga ky shtet në pozita të larta në FIBA dhe raportet njerëzore, të cilat i kanë udhëheqësit e caktuar të federatave të caktuara me udhëheqësit serb, unë mendoj se në rastin tonë kanë influencë shumë të madhe”. 
“Dhe, ajo më e dhembshmja për ne është që federata serbe është duke u thirrur vazhdimisht në politikën zyrtare të shtetit të tyre, ndërsa përfaqësuesit e shteteve tjera që e përbëjnë shumicën në këto organe, nuk thirren në politikën shtetërore të shteteve të tyre”, shpjegon Belegu.
Ndryshe, Belegu thotë se përpjekjet e Federatës kosovare të Basketbollit për anëtarësim në FIBA nuk janë duke pushuar, ndërkohë që ai ka kërkuar një mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore.


Në anën tjetër, Ibër Alaj nga Departamenti i Sportit, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se përpjekjet e çdo federate të sportit në Kosovë për pranim në mekanizma gjegjës ndërkombëtarë, gëzojnë mbështetjen e institucioneve qeveritare. Federatat, gjatë aktivitetit të tyre ndërkombëtar, mbështetjen më të madhe financiare e kanë nga Ministria, përkatësisht nga Departamenti i Sportit.
Sidoqoftë, Belegu paralajmëron se Federata e Basketbollit të Kosovës do t’i përqendrojë përpjekjet e saj për të ndikuar në bordin e FIBA-s, i cili pritet të mblidhet në fillim të këtij dhjetori, si dhe në bordin e FIBA-s për Evropë.
Sipas tij, në takimin e kaluar të këtij bordi, pranimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e Serbisë, Rusisë dhe Greqisë.
Por, siç shprehet Belegu, në kongresin e FIBA-s në Turqi, do të formohet bordi i ri dhe përfaqësuesit e këtyre vendeve, në takimin e ardhshëm nuk do të jenë në përbërje të bordit.