Kosova dhe Hungaria janë dakorduar për një marrëveshje kornizë në vlerë prej 61 milionë euro, nga e cila do të përfitojë Kosovës për financimin e projekteve të ndryshme për zhvillim.

Kjo u bë e ditur gjatë një takimi që ministri i Financave, Avdullah Hoti, zhvilloi të enjten në Prishtinë, me një delegacionin të Qeverisë së Republikës së Hungarisë, të kryesuar nga nënsekretarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Petra Pana. Në këtë takim morri pjesë edhe ambasadori hungarez në Prishtinë, László Márkusz.

Ministri Hoti e falënderoi nënsekretaren e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Petra Pana, për vizitën dhe për kontributin e shtetit të Hungarisë dhe shprehi gatishmërinë e shtetit të Kosovës për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Financave thuhet se të dyja palët u dakorduan në parim për një marrëveshje kornizë në vlerë prej 61 milionë euro për financimin e projekteve të ndryshme për zhvillim.

Projekti i parë i cili do të financohet përmes kësaj marrëveshje kornizë është projekti i "Batllavës", i cili përfshinë trajtimin e ujërave të zeza për fshatrat për rreth, një stacion për filtrimin e ujit si dhe riparimin e rezervarit ekzistues.