Këshilltari politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Fisnik Rexhepi, ka thënë se çështja e reciprocitetit për sigurim edhe për shtetasit maqedonas do të shqyrtohet së shpejti, megjithëse kjo duhet të rregullohet me Ligj.
"Do të shqyrtohet mundësia për reciprocitet për shtetasit maqedonas, edhe pse fillimisht një çështje e tillë duhet rregulluar me Ligj të veçantë", ka thënë Rexhepi.
Autoritet shëndetësore kosovare kanë bërë të ditur se janë duke u munduar që të zhvillojnë një bashkëpunim rajonal mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë për këtë çështje.
Ministri i Shëndetësisë Alush Gashi është shprehur për mediat kosovare se një bashkëpunim i tillë ndërmjet vendeve do të bënte që një person që ka sigurimin shëndetësor të Kosovës të vlejë edhe në dy vendet tjera dhe anasjelltas, "do të mundohemi që ata persona që kanë sigurim shëndetësor në Kosovë, të vlejë edhe për udhëtim në Maqedoni".
Pagesa e polisave të sigurimit ka shtuar kaosin në pikat e kalimit kufitar të Maqedonisë. Prej tre deri në 130 euro është shuma që kosovarët duhet të paguajnë për sigurim shëndetësor gjatë hyrjes në Maqedoni. Kjo shumë varet nga qëndrimi në këtë shtet, që mund të jetë pak orë ose një vit.
Shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë përpos pritjeve të gjata, janë të detyruar që pagesën për sigurimin shëndetësor në udhëtim ta paguajnë madje dy herë. Gjatë këtyre ditëve, në pikat e kalimit me Kosovën, radhët kanë qenë sfilitëse, shtetasit kosovarë kanë pritur më shumë se katër orë për të hyrë në vend. (INA/Koha)