Përfaqësuesja e Kosovës regjistroi një fitore me goleadë në transfertën e Valletës ndaj Maltës, ku triumfoi me rezultatin e thellë 0-5 duke u konfirmuar si favorite për të mbyllur grupin në vendin e parë të renditjes.


Skuadra e drejtuar nga tekniku zviceran Bernard Challandes gjeti golin që në minutën e 15 me anë të Vedat Muriqit, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Rashicës, për të dërguar topin në rrjetë.


Minutat në vijim ishin një dialog i vazhdueshëm mes futbollistëve të Kosovës me portierin maltez, i cili rezistoi deri në minutën e 70, kur Benjamin Kolollit i doli një top me fat dhe me gjakftohtësi dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje në formë parabole.


Këtu filloi edhe goleada e Kosovës, fillimisht me Donis Avdiajn, i cili dërgoi dy herë topin në rrjetë në minutat 78 dhe 80, duke gjetur edhe golat e parë me Kosovën, ndërsa më pas ishte Milot Rashica, që shënoi një gol nga një distancë e largët, për të kompletuar suksesin bindës.


Me këtë fitore Kosova mbetet në vendin e parë me 11 pikë në 5 takime, e ndjekur nga Azerbajxhani me 9 pikë në po kaq takime. Pas 3 ditësh, në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës, Kosova do të presë Azerbajxhanin, në një ndeshje direkte për vendin e parë, ku Dardanëve u mjafton edhe një barazim, për të ruajtur pozitat.


17 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)