Marrëveshja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve është nënshkruar në Tokio nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Ahmet Shala dhe ambasadori i Republikës së Fixhit, Isikeli Uluinairai Mataitoga.


Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është zhvilluar në zyrat e Ambasadës së Kosovës në Tokio.


Në dokument shprehet vullneti i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Fixhit për nxitjen e mirëkuptimit reciprok dhe fuqizimit të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy popujve.


Po ashtu riafirmohet përkushtimi i dy qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, respektimin e pavarësisë kombëtare, barazisë ndërmjet shteteve, integritetit territorial, traktateve ndërkombëtare dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve.


Fixhi e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës në nëntor 2012.


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vitit të kaluar ka pasur kontakte të shpeshta dhe takime direkte me liderët e këtij shteti si dhe ka zhvilluar një vizitë në Republikën e Fixhit, ku ka pasur takime me homologun Inoke Kubuabola dhe kryeministrin e Fixhit, duke kërkuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve./Indeksonline/