Pas përsëritjes së zgjedhjeve në pesë komuna në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake për secilin subjekt politik, në nivel qendror. Duke mos llogaritur vetëm Mitrovicën, qytet ky në të cilin votimet do të përsëriten më 23 janar, përqindjet për secilën parti në nivel vendi janë: PDK, 32.0 për qind, LDK – 24.7 për qind, Vetëvendosje – 12.6 për qind, AAK – 11.2 për qind, AKR – 7.3 për qind, LDD – 2.2 për qind dhe FER – 2.2 për qind. Në këto përllogaritje janë futur edhe të dhënat nga votat e rinumëruara. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se është e pamundur që të dilet që tani me rezultatet përfundimtare, ndërsa bëri të ditur se rezultatet paraprake të publikuara dje, kanë përfshirë edhe votat e rinumëruara. “I gjithë rinumërimi është kryer, janë rinumëruar të gjitha kutitë, por ne nuk mund të dalim me rezultate të pjesshme. Do të dalim me rezultate atëherë kur t’i kemi të gjitha rezultatet edhe për Mitrovicën, edhe rezultatet e rivotimit të së dielës, sepse rezultatet e rivotimit të dy ditëve më parë ende nuk janë futur në sistem”, ka thënë Daka. Daka ka bërë të ditur se në rivotimin e 9 janarit, PDK-ja ka fituar në Skënderaj, Drenas, Malishevë dhe në Lipjan. Ndërsa, AAK-ja ka fituar në Deçan. Pritet që i tërë procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit të përfundojë pas rivotimit më 23 janar në Mitrovicë, rivotim ky që pason vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila pati vendosur që në 24 vendvotime të përsëriten zgjedhjet për shkak të parregullsive. KQZ-ja ka vendosur që zgjedhjet të përsëriten në tërë komunën. “I tërë procesi pritet të përfundojë pas rivotimit në Mitrovicë dhe të priten afatet ligjore për ankesat eventuale dhe besoj se përfundimisht ky edhe është fundi i këtyre zgjedhjeve”, tha Daka. Sikur zgjedhjet e 12 dhjetorit, ashtu edhe rivotimi i djeshëm në pesë komuna është kritikuar nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pranojnë se ndër parregullsitë që janë evidentuar, ka qenë ndërprerja e energjisë elektrike dhe votimi familjar, presioni ndaj komisionarëve. Por, Valdete Daka ka deklaruar se KQZ-ja nuk e bart përgjegjësinë për parregullsitë që ndodhin në terren. “Askund nuk është thënë që KQZ-ja është fajtore për këtë apo që është përgjegjësi e KQZ-së. Është përgjegjësi e asaj që ka ndodhur në terren, sepse sa i përket raportit, ai nuk thotë se zgjedhjet nuk janë organizuar ashtu siç është dashur, por ajo çka ka ndodhur në terren u takon atyre që e bartin procesin në terren”, ka deklaruar Daka. Që nga viti 2009 Kosova është duke kaluar nëpër procese të përsëritura zgjedhore. Zgjedhjet lokale të 2009-ës u shoqëruan me parregullsi të evidentuara nga subjektet politike, për çka zgjedhjet u përsëritën në disa komuna. Procesi nuk u përmbyll deri në vitin 2010, kur edhe u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për të cilat po ashtu pati vërejtje, dhe rrjedhimisht përsëritje të votimeve në komunat ku mashtrimet thuhej se ishin më të mëdha.



Më 23 janar, rivotimi në Mitrovicë



Në gjithë komunën e Mitrovicës do të këtë ripërsëritje të zgjedhjeve. Kështu ka bërë të ditur KQZ në Kosovë, pas një urdhëri të Gjykatës Supreme të Kosovës. Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, nga 32 qendra votimi sa numëron kjo komunë, në 24 prej tyre janë shfaqur parregullsi në ditën e zgjedhjeve më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Përsëritja e zgjedhjeve pasoi një vendim-urdhëresë të Gjykatës Supreme e cila mori parasysh ankesën e Lëvizjes Vetëvendosja për parregullsi të shumta në ditën e zgjedhjeve, ankesë kjo që nuk u miratua fillimisht nga një Panel Zgjedhor i Ankesave. Vendimi i KQZ-së për përsëritje të votimeve në Mitrovicë erdhi vetëm një ditë pas përfundimit të procesit të rivotimit të tërësishëm në tri komuna në Kosovën Qendrore dhe Perëndimore dhe të pjesshëm në dy komuna të tjera, Lipjan e Malishevë.



Thaçi: “Zgjedhjet i plotësojnë standardet e kërkuara”



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se procesi zgjedhor në Kosovë ka qenë tërësisht i rregullt dhe brenda standardit të kërkuar nga ndërkombëtarët.

Në një takim me shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Havier Bout de Marnak, Thaçi ka diskutuar edhe për gjendjen aktuale politike në vend, me theks të veçantë për procesin e mbajtjes së zgjedhjeve. Në komunikatën për media bëhet e ditur se kryeministri në largim, Hashim Thaçi vlerësoi se ky proces ishte i qetë dhe në përputhshmëri me standardet e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ndërsa, shefi i EULEX-it, Havier Bout de Marnhac, shprehu vlerësimin se aspektet e sigurisë të zgjedhjeve janë trajtuar mirë. Kryeministri në largim dhe shefi i Misionit të EULEX-it, Havier de Marnak u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.



Reagimet e ndërkombëtarëve për procesin zgjedhor në Kosovë



Ndërkombëtarët kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë. Pas vlerësimit të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili tha se gjithçka kishte kaluar në normalitet, raportuesit e Parlamentit Europian kanë konstatuar parregullsi të dukshme dhe defekte serioze.

Pa marrë parasysh përpjekjet me qëllim pozitiv të shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel baze, për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e delegacionit monitorues të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Kosovë.

“Edhe pse votimi është zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë, delegacioni po ashtu ka marrë parasysh raportimet për mashtrime zgjedhore dhe kërcënime. Delegacioni është duke pritur vlerësimin përfundimtar të monitorimit vendor dhe ndërkombëtar për të paraqitur konkluzionet e tij”, thuhet në deklaratë. Më tej, delegacioni monitorues i Parlamentit Europian thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, për të cilën gjë thuhet se Parlamenti Evropian është plotësisht i përkushtuar. Po ashtu, shpreh keqardhjen për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit. Delegacioni i Parlamentit Europian (PE), që ishte caktuar për zgjedhjet e përsëritura të 9 janarit është udhëhequr nga Ulrike Lunacek, e cila është po ashtu raportuese e PE për Kosovë, si dhe Juta Steinruk.



Maqedoni, shënohet 20 vjetori i pluralizmit



Në Maqedoni është shënuar 20 vjetori i mbledhjes së parë të parlamentit pluralist. Në një seancë solemne morën pjesë zyrtarët më të lartë të vendit. Me këtë ngjarje filluan edhe festimet për 20 vjetorin e pavarësisë të Maqedonisë. Mbledhja e parë e parlamentit pluralist të Maqedonisë u zhvillua më 8 janar të vitit 1991. Mbledhja zhvillohej pas zgjedhjeve të para pluraliste të cilat u zhvilluan disa muaj më herët në nëntor. Puna e parlamentit të parë të Maqedonisë vendosi rrugën mbi të cilën do të ecte vendi, rrugë e cila jo domosdoshmërisht ishte më e duhura. Pikërisht parlamenti i parë pluralist ndikoi që të arrihet pavarësia e vendit duke shpallur referendumin për shkëputjen nga Jugosllavia, por miratoi edhe kushtetutën e parë e cila më vonë u konsiderua si e diskutueshme dhe burim i tensioneve ndër etnike. Parlamenti i parë para 20 vjetësh gjithashtu miratoi edhe himnin dhe flamurin e vendit, i cili pas presionit grek pas disa vitesh u ndërrua.















11 Janar 2011