Ministri i Jashtëm i  Shqipërisë dhe ai i Sllovenisë kanë zhvilluar një takim bilateral, ku në fokus ishte marrëdhënia Serbi-Kosovë. Në daljen për median,ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Republikës së Sllovenisë, z. Miro Cerar iu kërkua të komentonin deklaratën e Mike Pompeu.


Pyetje: Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe zbatueshme. Si e shikoni këtë qëndrim të Amerikës dhe a e përjashton mundësinë e korrigjimit të kufijve?


Ditmir Bushati:  Më duhet tju kujtoj se unë jam ministër i Punëve të Jashtme dhe nuk jam analist dhe në këtë kontekst e kam të vështirë të bëj interpretime implicite për qëndrime eksplicite të SHBA-së, të cilat apo roli i të cilëve është i pazëvendësueshëm për perimetrin e sigurisë së Europës Juglindore, pa përmendur këtu kontributin e pazëvendësueshëm të tyre për popullin shqiptar dhe pavarësinë e Kosovës. Mendoj që deklarata e Sekretarit të Shtetit pas takimit me presidentin e Kosovës është e qartë dhe bën thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe për një marrëveshje që mbi të gjitha do të shtojë sigurinë


Miro Cerar:  Siç e dini Sllovenia ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës por në të njëjtën kohë kemi dhe marrëdhënie miqësore me Kosovën dhe Serbinë. I urojmë atyre një mënyrë të suksesshme për një marrëveshje konkrete të zbatueshme. Kuptojmë që ky është një proces mjaft i vështirë por besojmë se dialogu duhet të vijojë dhe të sjellë marrëveshje që do tu japë mundësi të dy vendeve dhe popujve të jetojnë në paqe dhe pa konflikte të mëtejshme.


Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.


Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeu pati të hënën me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historike me Serbinë.


Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për tu hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin, thuhet në deklaratë.


27 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)